Qeveria e Kosovës publikon raportin për matjen e territorit

Qeveria e Kosovës publikon raportin për matjen e territorit

08.03.2017 09:26:45

Qeveria e Republikës së Kosovës bëri të ditur se raporti i Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas prezantimit në mbledhjen e 135-të të Qeverisë, të mbajtur më 3 mars 2017.

Ky raport zyrtar i Komisionit të ekspertëve, të kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, puna e të cilit është mbikëqyrur dhe nënshkruar nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve, të KFOR-it dhe të BE-së, tashmë është në procedurë të dërgimit për informim në Kuvend dhe te Presidenti i vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson faktin që edhe ky raport konfirmon punën e Komisionit shtetëror, qëndrimin e Komisionit të ekspertëve ndërkombëtarë të thirrur nga Presidentja Jahjaga, të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, të vendeve mike evropiane dhe shumë institucioneve vendore se Republika e Kosovës, me procesin e shënjimit të kufirit me Malin Zi, nuk e humb asnjë metër të territorit të Kosovës”.

“Duke ftuar përfaqësuesit e partive parlamentare dhe më gjerë që të jenë pjesë e këtij procesi historik të shënjimit të një kufiri ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, i cili njëkohësisht hap udhë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, Qeveria fton deputetët e Kuvendit që të jetësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për realizimin e këtyre aspiratave shumëvjeçare”, thuhet në njoftim.