Qeveria Hoti prezantoi Programin qeverisës 2020–2023, këto janë pikat kryesore

05.06.2020 13:41:56

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e mbajtur sot miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale.

Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

“Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim.

Programi qeverisës thuhet se bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive.

Objektivat themelore të Qeverisë janë: beteja për ta mposhtur pandeminë dhe rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.

Krahas këtyre objektivave, në njoftim thuhet se Qeveria do të ketë prioritet:

Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;