Qeveria la që t’i “zhvaten” 3 milionë euro Telekomit, tash po përpiqet për zgjidhje

23.07.2020 17:52:19

Kompania më profitabile, Telekomi i Kosovës, vite të fundit u përballë me probleme të mëdha financiare dhe operative. Sot, ndërmarrja është pranë falimentimit e punëtorët e saj janë në një udhëkryq.

Shumë punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë protestuar para Qeverisë dhe Kuvendit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve pasi një përmbarues bllokoi xhirollogaritë e kësaj kompanie.

Xhirollogaritë u bllokuan pas vendimit të një gjykate ndërkombëtare arbitrazhi lidhur me një kontest që Telekomi kishte me kompaninë e telefonisë virtuale Z-Mobile e cila është në pronësi të familjes Devolli.

Borxhi i Telekomit ndaj Z-Mobile është mbi 26 milionë euro dhe një përmbarues privat tashmë ka tërhequr 3 milionë euro. Sindikata e Telekomit ka thënë se ekziston rreziku që punëtorët të mos marrin paga për disa muaj nëse Qeveria dhe Kuvendi nuk gjejnë ndonjë zgjidhje.

Lamih Balaj, kryetari i Sindikatës, ka kërkuar nga deputetët dhe Qeveria e Kosovës, që tu ndalin në ndihmë dhe ta shpëtojnë kompaninë. Të nderuar deputetë duhet të bëheni bashkë që të mbroni Telekomin e Kosovës. Sot u janë mbyllur dyert 3500 punëtorëve. Sot një person në mënyrë jo ligjore ka bllokuar të gjitha xhirollogaritë e Telekomit. Ne jemi këtu për të mbrojtur kompaninë tonë, familjet tona”, është shprehur ai, shkruan lajmi.net.

Nga ana tjetër, kryeministri i Qeverisë Avdullah Hoti priti sot drejtuesit e Sindikatës së Telekomit, të cilët i siguroi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të gjetur në një afat optimal një zgjidhje të favorshme për këtë kompani me interes strategjik për ekonominë e vendit.

Po ashtu, kryeministri Hoti kërkoi që Telekomi të vazhdojë t’u ofrojë shërbimet e veta qytetarëve, ndërkohë që Qeveria do ta ketë prioritet stabilizimin dhe rivitalizimin e Telekomit.

Nga, ana tjetër, kompania “Z-Mobile” ka thënë se sulmet që po i bëhen kompanisë në lidhje me rastin e Telekomit kanë për qëllim për të fshehur fajtorin e vërtetë që ka çuar në këtë situatë. “Z-Mobile” ka thënë se nuk është fajtori dhe se është pala e dëmtuar në këtë rast.

“Po bëhen thuajse dy javë që kompania “Z-Mobile”, si palë e dëmtuar tash e disa vjet, ka heshtur përballë sulmeve të qëllimshme dhe vazhdueshme për shkak të situatës së krijuar pas lejimit të përmbarimit të borxhit që Telekomi i Kosovës ka. Për çudi askush nuk ka kërkuar një opinion nga ne rreth kësaj çështje. Këto sulme janë të qëllimshme drejt kompanisë Dardafone.net, siç njihet me emrin tregtar “Z-Mobile” për të fshehur fajet dhe përgjegjësitë e të tjerëve karshi situatës së krijuar pas vendimit përfundimtar të Gjykatës që lejon përmbarimin dëmit që na është shkaktuar si pasojë e moszbatimit të kontratës për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile virtuale”, thuhet ndër të tjera reagimin e Z-Mobile.

Të martën nga Telekomi ka dhënë dorëheqje edhe Bordi i Përkohshëm i kësaj kompanie, që ishin emëruar nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërkohë,përmbaruesi privat që përfaqëson “DARDAFON.NET” ka urdhëruar gjatë ditës së martë Raiffeisen Bank që nga llogaria e Telekomit të Kosovës brenda 60 minutave të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore, shpenzimet kontestimore dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore.

Në tërësi ky borxh kap shumën prej 26,789,532,62 euro.

“Shumën prej 24,684,003,15 Euro në emër të borxhit kryesor. Shumën prej 2,150,00 euro në emër të shpenzimeve konstestimore. Shumën prej 871,40 euro në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore. Shumën prej 374,001,14 euro në emër të efikasitetit për zbatim të përmbarimit dhe. Shumën prej 1,728,506,93 euro në emër të kamatës ligjore. Me propozimin e kreditorit për lejimin e përmbarimit në Zyrën e Përmbaruesit Privat, i është propozuar Përmbaruesit Privat që përmbarimi të realizohet përmes mjeteve të debitorit në llogaritë bankare”, thuhet tutje në dokument.

Por, si erdhi deri te kjo situatë.

Në korrik të vitit 2018, Bordi i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim që ta ndërpresë kontratën me kompaninë Z-Mobile, duke konsideruar se kjo kontratë e nënshkruar 10 vjet më parë, ka rezultuar të jetë e dëmshme për Telekomin dhe si e tillë e ka futur në krizë financiare.

Kontrata e nënshkruar 10 vjet më parë i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.

Njoftimin për shkëputjen e kontratës e kishte bërë kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, gjatë një proteste të punëtorëve të sindikatës së kësaj kompanie.

“Jemi ende duke diskutuar edhe aspektin financiar ku kemi kontraktuar një kompani ndërkombëtare që të bëjë një analizë financiare, ku si raport preliminar ka dal pozitiv sa i përket Telekomit, në të njëjtën kohë kemi pranuar edhe një njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme ligjore ku na jep të drejtën që ne si Telekom të njoftojmë operatorin Z-Mobile për shkëputjen e kontratës nga data 30 korrik”, pati thënë Istrefi.

Fatmir Zeqiri, inxhinier në Telekomin e Kosovës thoshte se kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile i ka kushtuar humbje milionëshe ndërmarrjes.

“Kontrata 10-vjeçare mes Telekomit dhe Z-Mobile ka rezultuar me 104 milionë euro humbje për Telekomin, ndërsa 79 milionë euro fitim për Z-Mobile. Sikur të mos ishte kjo kontratë, Telekomi do të kishte shumë më shumë të hyra”, thotë ai.

Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me kontratën. Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z- Mobile.

Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar, Telekomi obligohej t’i jepte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë eurosh në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.

Kompania Z-Mobile kërkonte që borxhi prej mbi 25 milionë euro të paguhet në të kundërtën do të fillohen procedurat e përmbarimit, që nënkupton mbylljen e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.

Qeveria kishte shqyrtuar mundësitë financiare për të paguar borxhin në mënyrë që ta shpëtonte Telekomin nga falimentimi, por që nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar për mediat se Qeveria nuk do ta paguajë këtë borxh.

“Qeveria nuk i shlyen borxhe Telekomit dhe nuk i jep hua. Ajo ka qenë një kompani profitabile, por menaxhimi i keq e ka sjell në këtë gjendje. Menaxhmenti i Telekomit duhet ta kthejë kompaninë në kompani profitabile dhe të heqë atë nga obligimet e gabuara, por nuk do të paguan Qeveria për gabimet menxheriale se nuk ka mundësi që një kompani e telefonisë të punojë me humbje”, ka thënë Haradinaj.

Po vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës pati themeluar një Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. Komisioni kishte intervistimuar ish-zyrtarët nga Departamenti Kundër Mashtrimeve në PTK.

Lamih Balaj, Kryetar i Sindikatës së Pavarur së PTK-së, gjatë intervistimit ka përmendur një prej kompanive të dëmshme që kanë pasur kontratë me Telekomin.

Ai thoshte se kontrata me Z-mobile është e ndërtuar mbi aferat korruptive.

“Për mua gjithçka që është e ndërtuar rreth kësaj kontrate është mbi afera korruptive që kanë përfituar njerëzit në vazhdimësi. Të gjitha janë kontrata të dëmshme sepse kemi kapacitet vetë me i kry këto punë, kontratat e re e rrjetit optik gjitha për ne si sindikatë janë të ndërtuara mbi afera korruptive sepse ne nuk kemi pas nevojë për këto kontrata, këto kontrata e kanë sjellë në këtë gjendje Telekomin. Janë lidhur kontrata për shitje me kompani qe neve nuk ka janë dashur asgjë”, pati deklaruar ai.

“…Ne ju kemi proklamuar me i shkëput këto kontrata sepse nuk ka nevojë, me secilën shitore e trafik nuk ka pasë fshat në Kosovë që ne nuk kemi pas kontratë me bë shitjen, tash e kanë bërë të njëjtën vetëm ia kanë dhënë kompanisë private me fitu 30% mendoj se duhet shkëputur gjitha këto kontrata. Të hyrat në 2010-19 për Z-mobile janë 87 milionë, fitimi 54 milionë ne dyshojmë në këto të dhëna ne mendojmë se këto të dhëna që janë më shumë. Të hyrat e Telekomit 2010-19 vetëm nga kontrata Z-mobile janë 48 milionë, dy fish e ka më shumë Z-mobile, fitimet janë vetëm 13 milionë, humbjet janë 17 milionë e gjysmë në humbje jemi që janë letra zyrtare”.

Ai thoshte se Z-mobile, Telekomit i ka shkaktuar mbi 200 milionë euro dëme.

“Kontrata  me Z-mobile Telekomit i ka shkaktuar mbi 200 milionë euro dëm. Mbi 200 milionë janë dëme që jemi dëmtuar me nxënie të trafikut të tyre sepse më shumë ka trafik ai se sa ne”, tha ai.Gjatë Para Komisionin Hetimor Parlamentar, ishte deklaruar edhe pronari i kompanisë Z-Mobile, Blerim Devolli. Ai kishte thënë se fitimi neto i kompanisë në 10 vitet e funksionimit është rreth 5 milionë euro.

“Gjithë fitimi i Z-Mobile ka qenë 5 milionë e 65 mijë euro, ndërkaq të hyrat kanë qenë 60 milionë”, ka thënë Devolli.

Kurse në pyetjen e deputetit sesi Devolli ka arritur t`i bind menaxhmentin për këtë kontratë të dëmshme, Blerim Devolli ka thënë që kjo është diçka që është gjykuar.

“Është gjykuar ai sen, ne kemi qenë në gjykatë 5 vite. 22 milionë  i ka marrë vetëm ndarje, plus tjerat për numrat e Z Mobile 23 milionë, në total 43 milionë që i bjen se 57% i ka marrë Telekomi”, ka thënë Devolli.

Para pak ditësh, Prokurori i Shtetit ka reaguar lidhur me pretendimet se Prokuroria ka heshtur në aferën e Z-mobile.

Prokurori i Shtetit thoshte se lidhur më këtë çështje janë zhvilluar dy raste penale.

“Prokuroria Speciale e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë në vitin 2011 ndaj pronarëve dhe përqafuesit ligjor të operatorit Dardafone.net Sh.p.k, si dhe ndaj Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, lidhur me marrëveshjen për operatorin e rrjetit mobil të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it, ku pas zhvillimit të procedurës penale ky rast ka marrë epilog përfundimtar gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj menaxhmentit të PTK-së në vitin 2018 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i njohur si rasti “Z-mobile”, konkretisht ndaj dy kryeshefave ekzekutivë të PTK-së dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve, procedurë kjo, që është zhvilluar në shkallë të parë. Ndërsa, duke e aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, ku dhe pritet që pranë gjykatës së shkallës së parë të zhvillohet edhe njëherë procedura gjyqësore lidhur më akuzën e prokurorisë për këtë rast.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Sipas aktvendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

 

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit. Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës. Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro dhe 65.000 funte.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordi t të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.