Qeveria merr masa kundër koronavirusit, vendos për ndërprerjen e mësimit në Kosovë

11.03.2020 20:19:39

Teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar koronavirusin pandemi vetëm pak orë më parë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të mblidhet, për të ndërmarrë masa kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Qeveria e Kosovës ka thirrur një mbledhje urgjente, në natën e së mërkurës. Kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij do të mblidhen në orën 20:00.

Ndonëse në një njoftim nga Qeveria për mbledhjen e saj nuk është bërë e ditur arsyeja e tubimit të ministrave, e as agjenda e takimit, Gazeta Express ka mësuar se masat kundër koronavirusit do të jetë çështja kryesore e diskutimit.

Sipas burimeve Qeveria Kurti do të vendosë që të ndërpritet procesi mësimor në Kosovë, në të gjitha nivelet.

Shkollat pritet të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 27 mars.

Gazeta Express ka marrë vesh, përmes këtyre burimeve, se në mbledhjen e qeverisë do të vendoset edhe për disa masa të tjera në luftën kundër koronavirusit.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.