Qeveria miraton planin për shqyrtimin e sfidave të Raportit të Progresit

23.04.2018 10:10:08

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e cila është duke u zhvilluar ka miratuar planin aksionar për shqyrtimin e sfidave të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë që raporti i progresit ka pasur edhe mangësi dhe ato duhet të shikohen në mënyrë që të arrihet zgjidhje.

“Duhet të punojmë për mangësitë e raportit dhe për ta liruar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Unë kam kërkuar nga ministrat që ti gjejnë mangësitë dhe të bëjnë veprime jo ti shikojnë vetëm anët e mira”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se në javën e ardhshme do të mbahet mbledhja e këshillit ministror lidhur me raportin e progresit.

“Në javën tjetër ne do të mbajmë mbledhjen e këshillit ministror të ministrisë së Integrimeve dhe ta shqyrtojmë raportin. Raporti nuk është vetëm i Qeverisë, por i të gjithë vendit”, ka thënë Hoxha.

Ministri Mahir Yagcilar ka kërkuar koordim mes ministrive dhe ka propozuar që këta të fundit të mblidhen dhe të arrijnë një zgjidhje.

“Kjo çështje i takon gjithë ministrive andaj propozoj që të mblidhemi të gjithë dhe të arrijmë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Me rastin e miratimit të Planit Aksional për adresimin e sfidave të Raportit të Progresit, kryeministri Haradinaj, ka kërkuar nga ministrat që të gjithë ta marrin përgjegjësinë për të ndërmarrë vendime lidhur me përmirësimin e ngecjeve që i ka paraqitur raporti.

Po ashtu në këtë mbledhje të Qeverisë u dakordua që mbledhja e këshillit ministror për Raportin e Progresit të mbahet javën e ardhshme.