Qeveria miraton projektligjin për kryeqytetin

06.10.2017 20:21:52

Qeveria ka miratuar projektligjin për kryeqytetin. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe funksionimi i kryeqytetit sipas Kushtetutës.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe përbërja e re e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Kabineti qeveritar, i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj aprovoi, projektligjin për kryeqytetin, me të cilin rregullohet funksionimi i kryeqytetit sipas Kushtetutës së Kosovës. I pari i ekzekutivit theksoi se me këtë projektligj, kryeqyteti fiton status të veçantë që ushtron kompetenca brenda territorit të tij, i cili ka kosto financiare dhe përmirëson jetën në kryeqytet.

“Kryeqyteti e ka statusin e veçantë që ushtron kompetenca brenda territorit të tij. Është një ligj që pret gjatë ndër vite. Rëndësia e kryeqytetit është e jashtëzakonshme. Ka kosto financiare por që i dedikohet përmirësimit të jetës në kryeqytet”, tha Haradinaj.

Madje, ministri i Financave, Bedri Hamza, dha premtim se projektligji për kryeqytetin do të ketë edhe koston e vet financiare.

“Do ta dizajnojmë që të mos jetë ngarkesë e papërballueshme për buxhetin”, tha Hamza

Po në këtë mbledhje, kabineti qeveritar miratoi përbërjen e re të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Pjesë e këtij bordi janë emëruar:  Fatmir Dragidella, Shemsi Veseli, Naser Ramadani, Mirdita Hajdari dhe Ardian Ferizi, ndërsa mandati i tyre do të jetë 3-vjeçar. Anëtari i gjashtë i këtij bordi do të zgjidhet një ekspert i menaxhimit shëndetësor me konkurs, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Kabineti qeveritar në këtë mbledhje diskutoi edhe për një varg çështjesh të tjera që ndërlidhen me programin qeveritar të kryeministrit Ramush Haradinaj.