Qeveria nuk jep detaje për rishikimin e kufirit me Malin e Zi

21.03.2019 21:40:21
Kuvendi i Kosovës para një viti e ka miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Prej asaj kohe nuk ka ndodhur rishikimi i vijës kufitare, siç pretendonte pala kosovare, e as vendi nuk e ka fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Menjëherë pasi në Kuvend ishte miratuar Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi kryeministri Ramush Haradinaj në vazhdimësi ishte zotuar se do të ketë rishikim të marrëveshjes, respektivisht rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi.

Por tash kur ka kaluar një vit nga votimi i marrëveshjes nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse është duke u punuar ose jo në këtë drejtim.

Të pyetur se kur do të ndodhë rishikimi i vijës kufitare me Malin e Zi, nga Qeveria e Kosovës duke mos dhënë detaje, kanë sugjeruar që për këtë çështje të kontaktohet Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe për Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

“Komisioni ka mandat dhe është i përgatitur për të gjitha detyrat. Për detaje kontaktoni komisionin përgjegjës, në krye me Shpejtim Bulliqin”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit dërguar “Zërit”.