Qeveria ofron ndihmën institucionale për shërimin e ish-kryeministrit Mustafa

14.01.2018 22:32:24

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi për media thotë se e ka marrë me shqetësim përkeqësimin shëndetësor të ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe thotë gjithashtu se po i përcjellë nga afër zhvillimet rreth gjendjes shëndetësore të tij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj janë me familjen Mustafa për t’i ofruar mbështetjen dhe përkrahjen për shërimin e shpejt të ish-kryeministrit Isa Mustafa. Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë gjithë ndihmën institucionale për shërimin e z. Mustafa”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërsa sot, më herët, këshilltari i Mustafës Besnik Berisha, e ka konfirmuar për Telegrafin se ish-kryeministrit mund të udhëtojë jashtë vendit për disa ekzaminime, duke thënë se gjendja e tij është në përmirësim e sipër.

“Dje personalisht e kam vizituar z. Mustafa dhe mund t’ju njoftoj se gjendja shëndetësore e z. Mustafa tashmë është në përmirësim e sipër dhe se trajtimi i tij është duke shkuar mjaft mirë. Është planifikuar që në ditët në vijim të kryhen dhe disa ekzaminime të cilat ka mundësi që do të bëhen jashtë shtetit dhe z. Mustafa pritet që shpejt t’i kthehet punës dhe aktiviteteve të tij të përditshme politike dhe jo vetëm”, ka thënë Berisha.