Qeveria së shpejti procedon propozimin e KES-it për rritjen e pagës minimale

13.01.2018 23:53:21

Ministria e Punës është në fund të përgatitjes së lëndës për të dërguar në Qeveri propozimin e Këshillit Ekonomik Social për rritjen e pagës minimale në 250 euro, dhe procedimi i saj është çështje ditësh.

Kështu ka thënë ministri i Punës, Skënder Reçica, në një intervistë për televizionin publik.

Reçica beson se Qeveria do ta miratojë propozimin derisa ka shtuar se rritja e pagës minimale nuk ndikon në skemat pensionale dhe sociale.

Por, rritja e pagës minimale në Kosovë e propozuar nga Këshilli Ekonomik Social (KES), ka hasur në kundërshtim nga disa përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Paga minimale në Kosovë e cila sipas një vendimi të vitit 2011 të Qeverisë së Kosovës vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, është propozuar të rritet në 250 euro.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë po kundërshton rritjen e pagës minimale, pasi që sipas tyre, paga minimale në vlerë prej 250 eurosh mund të ndikojë në përkeqësimin e mëtejmë të prospekteve të punësimit si dhe në rritjen e in-formalitetit në punësim.

Fuqia e lirë punëtore, sipas një komunikate për media të Odës Ekonomike Amerikane thuhet “se është një ndër faktorët kryesorë që ndikon jo vetëm në konkurrueshmërinë e bizneseve, por edhe në përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte”.

Lidhur me vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave kishte reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke kërkuar që ngritja e pagave të jetë në vlerën e 4 përqindëshit të pagës së kryeministrit. Kjo i bie se një pagë e punëtorit arsimor të jetë 118 euro më shumë.

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ishte takuar me një delegacion të BSPK-së përfshirë edhe kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ku sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhej se ai iu kishte premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin maksimal, konform kapaciteteve buxhetore.