Qeveria thotë se në debat u argumentua se demarkacioni është në rregull

03.08.2016 23:42:13

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vlerësuar lartë debatin e zhvilluar sot lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

“Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e debatit për kontributin e tyre në këtë debat shumë të dobishëm për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë, transmeton Gazeta Express.

Qeveria ka thënë se pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, ka ardhur në përfundim se aty “ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së. Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje”, thuhet në fund të komunikatës.