QKUK, në kërkim të kompanive që sjellin gaz medicinal nga vendet e BE-së

26.09.2017 13:07:43

Të premten që shkoi, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar që të ndalet furnizimi me gaz oksidul (N20) për të gjithë Shërbimin Klinik dhe Spitalor të Kosovës. Ky gaz aktualisht nuk po përdoret as në institucionet private. Kjo vjen si rezultat i tri vdekjeve të dyshimta që ndodhën në QKUK, më 7 shtator të këtij viti, e që dyshohet se erdhën si pasojë pikërisht e gazit oksidul (N20).

Në gjithë këtë situatë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur ftesën për furnizim me këtë lloj gazi medicinal. Por ende nuk dihet se kur do të furnizohet QKUK-ja me këtë lloj të gazit.

Këtë informatë për Gazetën Express e ka dhënë zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Curr Gjocaj.

“Jemi në pritje të kompanive të interesuara për të zhvilluar negociatat sipas procedurës ligjore të negociuar dhe ne do të kontraktojmë atë kompani e cila do të ketë ofertën më të mirë siç është e përcaktuar nga procedurat ligjore për këto raste”, thuhet në njoftim.

Nga ky institucion shëndetësor bëjnë me dije se në tender mund të marrin pjesë të gjitha kompanitë e interesuara që operojnë në Kosovë dhe që plotësojnë kriterin fillestar të posedimit të licencës si Depo Farmaceutike. Por, theksohet se kësaj radhe kusht për furnizim me këtë lloj gazi është që i njëjti të prodhohet ose të përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.

“Në këtë situatë – SHSKUK ka shpallur ftesë për të gjitha kompanitë e interesuara që operojnë në Kosovë dhe që plotësojnë kriterin fillestar të posedimit të licencës si Depo Farmaceutike –  dhe këto pastaj të na sjellin në SHSKUK produktin ‘gazra medicinale’ nga kompani të huaja që atë produkt ose e prodhojnë në një nga vendet e BE ose atë produkt e importojnë apo i njëjti produkt përdoret në ndonjërin nga vendet e BE-së”, thuhet në përgjigjën e zyrës së drejtorit dhënë Expressit.

Tutje, SHSKUK ka udhëzuar shërbimet përkatëse profesionale dhe teknike që të shfrytëzojnë çdo metodë alternative të anestezionit, por jo gazin oksidull deri në nënshkrimin e kontratës me furnizuesin e ri.

Ndërkohë, furnizim me gaz oksidul me kompaninë “Bubeari” përveç QKUK-së kanë pasur edhe spitali i Gjilanit dhe ai i Gjakovës. Ndërkaq, spitalet, si ato të përgjithshmet në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri dhe Ferizaj, kanë pasur kontrata me kompaninë tjetër që furnizon me këtë lloj gazi – “Messer”.

SHSKUK: Gjykata e Tenderëve me vendim ekzekutiv detyroi QKUK-në të lidhë kontratën me “Bubearin” e Kaçanikut

Dhe përderisa organet e hetuesisë, si Prokuroria, Policia e në anën tjetër Inspektorati Shëndetësor, janë duke i hetuar shkaqet që kanë çuar në vdekjen e tre pacientëve në QKU, më datë 7 shtator të këtij viti, zyrtarë të SHKUK-së deklarojnë se ka qenë Organi Shqyrtues i Prokurimit Politik, ai i cili e ka obliguar QKUK-në që të lidhë kontratën me kompaninë tashmë të dyshuar për prodhimin e gazit oksidul, “Bubeari”.

Në përgjigjet e dhëna për Express, drejtori Curr Gjocaj ka deklaruar se Gjykata e Tenderëve e kishte rrëzuar kontratën me kompaninë “Masser”, që QKUK-ja e kishte lidhur për furnizim me këtë lloj gazi.

“QKUK kishte shpallur si fitues apo të përgjegjshëm operatorin ‘Messer’, derisa Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, apo siç quhet ndryshe Gjykata e Tenderëve, me vendim ekzekutiv ka obliguar QKUK-në që të mos lidhë kontratën me ‘Messer’-in që e kishim shpallur fitues, por ka shpallur fitues kompaninë ‘Bubeari’ nga Kaçaniku, e cila tashmë është e njohur për opinion dhe po hetohet për gazin oksidull (N20)”, thotë drejtori Gjocaj.

Megjithëse, organet e drejtësisë thonë se janë duke punuar për këtë rast, zyrtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thonë se ende nuk ka diçka konkrete për rezultatet e analizave të autopsisë, të bëra javë më parë, për tre persona, të cilët dyshohet se kanë vdekur nga gazi oksidul (N20).