Qumështarët: Institucionet të marrin masa, produktet me vaj palme po rrezikojnë jetën e njerëzve

30.04.2017 12:13:41
Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, përmes një komunikate ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të marrin masa për parandalimin e produkteve me vaj bimor që po hyjnë nga jashtë dhe që shumë kompani vendore po e përdorin në përpunimin e produkteve.

Kjo shoqatë kërkon që të merren masa, sepse po rrezikohet jeta e njerëzve.

Kjo është komunikata e plotë:

Njoftojmë institucionet dhe opinionin e gjerë se pas shumë diskutimeve, takimeve, protestave të kohëpaskohshme të akterëve kryesor të qumështit, gjendja në sektorin e qumështit mbetet shqetësuese.

Edhe pse ofruam shumë argumente të pakundërshtueshme ato nuk mjaftuan për të ndërgjegjësuar institucionet vendore, përgjegjëse për këtë sektor, për të ndryshuar mënyrën e qasjes ndaj problemeve, që në të ardhmen do të shohim që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë vendin tonë.

Problemet në sektorin e qumështit vazhdojnë të mbeten të njëjta për shkak të produkteve me yndyrë bimore kryesisht nga vaji dhe yndyra e palmës.

Produktet me yndyrë bimore kryesisht nga vaji dhe yndyra e palmës ka shumë vite që importohen në Kosovë me emra të ndryshëm dhe paketime të ndryshme. Shoqata e Qumështarëve të Kosovës ka evidentuar rreth 50 produkte të tilla nga importi dhe nga prodhues vendor.

Edhe pse është premtuar një rregullim i problemeve në deklarim të përmbajtjes së produkteve, gjendja në fakt mbetet pothuajse e pandryshuar, deklarimet vazhdojnë të jenë mashtruese duke vënë në lajthitje konsumatorin kosovarë.

Bazuar në raportin e Agjencionit Evropian për Siguri në Ushqim, EFSA ne tashmë ja kemi bërë të njohura opinionit të gjerë pasojat e konsumimit të produkteve të tilla, të cilat ky raport i paraqet si kancerogjene dhe gjenotoksike.

AUV – si institucioni kryesor përgjegjës për sigurinë ushqimore në Kosovë duhet të ndërmarrë masa rreth këtyre produkteve.

Duke pasur parasyshë shqetësimet e konsumatorëve, AUV po ashtu duhet të bëj publike edhe importet e produkteve të tjera.

Duhet të sigurohet konsumatori kosovarë nëse është duke u kontrolluar së pari kualiteti i tyre e pastaj edhe prezenca e tyre eventuale në produktet e qumështit dhe të shuaj konfuzionin e shkaktuar nga akterë të ndryshëm me qëllime të ndryshme.

Mundësia për të manipuluar me produktet e qumështit me lloj-lloj metodash sot është më e madhe se kurrë më parë, prandaj nuk është në rregull që barra e përgjegjësisë t’i lihet konsumatorit që ai t’i detektoj produktet me përmbatjte të dyshimt, gjë që është shumë e vështirë, meqë këto produkte nuk janë vequar nga produktet e qumëshit në mënyrë të duhur.

Këtë përgjegjësi e ka AUV bashkë me Doganat dhe MTI – në.

Ekzistenca e prodhuesit vendor në rrezik

Imazhi i prodhuesve vendor së fundmi është sulmuar në të gjitha anët. Duke i shtuar kësaj edhe importet e dyshimta,  ekzistenca e tyre vihet në rrezik.

Prodhuesit e Qumështit gjithashtu janë të brengosur për shitjen e produktit të tyre, pikërisht për shkak të produkteve me yndyrë bimore që e kane kapluar tregun.

Ne kemi tërhequr vërjetjen disa herë për këtë, ndërsa kemi gjithnjë e më shumë informacione brengosëse nga disa pika grumbulluese dhe nga vetë fermerët që po kanë problem me shitjen e qumështit të tyre.

Gjendja mund të vazhdoj të rëndohet gjatë muajve në vazhdim, sepse për shkak të sezonës verorë rritet sasia e qumështit të pa përpunuar.

Mbijetesa e qumështarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa zhvillimi i industrisë së qumështit në kushtet e një konkurrence të tillë është i pamundur.

Zgjidhja është tek masat shtetërore të mirëfillta të cilat janë plotësisht të mundura dhe të ligjshme, madje për më tepër janë obligative para se gjithash për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve e mandej për të ndikuar në zhvillimin e sektorit.

Në këtë aspekt të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre, duke përfshi partitë politike dhe shoqërinë civile.

Ne jemi të rrezikuar të përfundojmë sikur disa vende të rajonit, ku pikërisht për shkak të konkurrences së padrejtë nga produktet me vaj palme, pothuajse nuk ekzistojnë fermerë e as produkte nga qumështi.