Qytetarët fyejnë nënkryetarin e Prishtinës, Selim Pacolli

13.02.2018 23:10:03

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka qëndruar “Te Rrethi” në kohën kur u vendos flamuri i Kosovës. Ai është pritur me protesta dhe fjalë fyese nga qytetarët e pranishëm.

Pacolli ka pohuar se vendimin për heqjen e flamurit kombëtar dhe vendosjen e flamurit shtetëror e ka marrë kryeministri i vendit, e jo Komuna e Prishtinës.

“Nuk merret leja prej Komunës së Prishtinës për zhvendosjen e këtij flamuri, mirëpo merret leja për vendosjen e edhe të një shtylle tjetër kudo qoftë në këtë vend, ose në një vend tjetër. Kjo shtyllë është në pronë të Komunës së Prishtinës dhe si e tillë do duhej të ishte këtu. Nëse Qeveria mendon se duhet vendos flamuri i Kosovës, ne kemi hapësira tjera ku mund të vendoset”, ka theksuar Pacolli, i cili tha se qeveria ka të drejtë të vendoset për dekorim për 10-vjetorin e pavarësisë, raporton KP.

Por, kjo fjalë nuk është pritur mirë nga qytetarët, të cilët kanë filluar ta fyejnë Pacollin dhe filluan të bërtasin “marre – marre” dhe filluan të shkojnë pas Pacollit deri të vetura e tij, për të vazhduar edhe më tej debatin, duke i thënë “turp që ta kemi dhanë votën”, “duhet vendoset edhe në Graçanicë”, duke i thënë edhe se “me pas fytyrë nuk ishe ardhur hiq”.

Po ashtu pati edhe momente kur u shkëmbyen fjalë si “nuk po të tutem ty”, deri sa Pacolli i thotë një qytetari me një ton të ngritur se “a ke diçka personale me mua?”.

Ajo që u pa, ishte se Pacoolli te qytetarët u ndal me veturë private dhe i vetëm debatonte me qytetarët e revoltuar, i cili nuk përtoi t’u përgjigjet të gjithëve. Pati edhe kërkesa që të dënohet nga policia, pasi Pacolli e ka ndal veturën në rrugë.