Qytetarët mblidhen për provën e dytë për protestën e Vetëvendosjes

28.05.2020 16:19:29

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për “provën e dytë për protestë”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila është thirrur të nis në orën 17:00.

Pas provës së parë javë më parë Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë me provën e dytë të përgatitjes së protestës në sheshet e Prishtinës.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, mëngjesin e së enjtes ka konfirmuar për Telegrafin se sot në provë planifikojnë të jenë nga 3 mijë e 500 persona deri në 5 mijë.

Kujtojmë se në provën e parë të protestës, më 12 maj ishin përafërsisht 500 persona, të cilët ishin më maska, dorëza dhe mbanin distancë sociale.

Ndryshe, edhe Policia e Kosovës do ta lejojë Lëvizjen Vetëvendosje që sot të mbajë provën e dytë të përgatitjes për protestë.

Këtë e kanë bërë të ditur zyra e medieve në Policinë e Kosovës.