Qytetarët protestojnë në Kukës: Nëse ka ligj, arrestimet bëhen ditën!

01.04.2018 18:03:56

Qytetarët e Kukësit vazhdojnë të protestojnë përpara komisariatit të qytetit, ku kërkojnë lirimin e personave të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.

Me thirrjet “Turp, Turp!” dhe pankarta në duar që ironizojnë deklaratën e bërë nga Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të së enjtes, ata i krahasojnë arrestimet e bëra gjatë orëve të natës me metodat e diktaturës.

“Policia vjen ditën! Nëse ka ligj dhe ka shtet, vjen ditën, jo natën”, thonë ata.

Numri i protestuesve u shtua pak pas orës 16:00 pas thirrjes së bërë përmes rrjeteve sociale për t’u grumbulluar para komisariatit kundër arrestimit të 23 personave nga ana e policisë, që akuzohen si përgjegjës të dhunës së shpërthyer në protestën e zhvilluar në hyrje të tunelit të Kalimashit kundër tarifës në Rrugën e Kombit.