Ra çështja gyleniste dhe nxori në pah shkallën e rrezikut për Kosovën nga institucionet e saj

31.03.2018 11:14:33

Nga Rexhep Kastrati

Çështja e gjashtë gylenistëve të deportuar në Turqi, ndonëse shumë e rëndë edhe në kontekst të të drejtave të njeriut, edhe të pozitës së Kosovës në rajon dhe më gjerë, si dhe në raport me vlerat qytetëruese, ka nxjerrë në sipërfaqe mënyrën e funksionimit të institucioneve të Kosovës.

Kur them këtë, nuk kam parasysh vetëm faktin se të gjithë krerët e lartë të shtetit kanë deklaruar se nuk kanë ditur gjë, gjë që po të jetë e vërtetë, do të ishte skandaloze, por edhe faktin se një shërbim sekret i një shteti të caktuar ka gjithë lirinë dhe mundësinë që të vijë në Kosovë me aeroplan dhe të arrestojë qytetarë me leje qëndrimi në shtetin tonë.

Ajo që dua të vë në spikamë ka të bëjë me ballafaqimin e këtyre dy elementeve: mosinformimin eventual të zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe lehtësisë së futjes së një shërbimi sekret për të kryer operacione të ndryshme.

Sipas agjenisve të lajmeve të Turqisë, MIT, agjensia sekrete turke ka ateruar në aeroportin e Prishtinës dhe në bashkëpunim me AKI-në ka arrestuar gjashtë gylenistët. Pra, arrestimi dhe deportimi i gjashtë gylenistëve është bërë në bashkëpunim ndërmjet MIT dhe AKI-së, e për të cilin nuk kanë qenë të informuar zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës.

Po qe se kjo do të ishte e vërtetë, atëherë po del se AKI na qenkësh një institucion – shtet më vete që nuk informon dhe nuk pyet kë për operacionet e dhe veprimtarinë e tij. Dhe kjo është tepër e rëndë për Kosovën, pasi që shtron edhe çështjen e mënyrës së funksionimit të AKI-së, implikimin në punë dhe veprime të rrezikshme për vendin, e që cenojnë rëndë sigurinë shtetërore të Kosovës.

Në anën tjetër, nëse institucionet më të larta të shtetit nuk qenkeshin informuar për rastin e gylenistëve, atëherë, del që këto institucione nuk na paskëshin informacion se çka po ndodh në Kosovë, çfarë bëjnë shërbimet e shteteve të tjera, pra edhe të Serbisë, Rusisë dhe të shteteve të tjera aleate. Përveç këtyre, del se AKI mund të jetë përfshirë edhe në aksione dhe operacione të shërbimeve të tjera sekrete, sidomos të shteteve të tilla si Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre.

Tërë kjo gjendje është jo vetëm skandaloze, por edhe shumë e rrezikshme dhe që lëkund themelet e shtetit.

Mirëpo, është e qartë, se është shumë pak e besueshme se institucionet e larta të shtetit nuk kanë qenë në dijeni për arrestimin dhe deportimin e gjashtë gylenistëve. Madje, as vetë nuk e kanë thënë në mënyrë bindëse.

Po pse kanë mohuar të kenë qenë në dijeni për gjithë këtë? A bëhet fjalë për përpjekje për të mos inkriminuar strukurat e larta të shtetit para bashkësisë nëdrkombëtare, apo kanë dashur që të shmangin përgjegjësinë personale për gjithë këtë?

Në fakt, adresimi i Kadri Veselit në Kuvendin e Kosovës, që më shumë sesa institucional, ishte një fjalim emocional që në thelb kishte të godiste Ramush Haradinajn. Ai pranoi përgjegjësinë e tij, të kryeministrit dhe të kryetarit të shtetit, dhe tha se shkarkimi i ministrit Sefaj dhe kreshefit të AKI-së, Gashi, nuk është shkalla e fundit e përgjegjësisë. me fjalë të tjera, ai ka paralajmëruar edhe zgjatjen e përgjegjësisë deri te kryeministri Haradinaj.

Në këtë kontekst, shpikja e çështjes së gjashtë gylenistëve, mund të dalë një çështje e stisur pikërisht për të qenë pretekst për rrëzimin e Qeverisë, të filluar nga lista “Srpska”, dhe pse jo, në marrëveshje ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit.

Mirëpo, ajo që është me rëndësi për Kosovën, është zbardhja e mënyrës së funksionimit të AKI-së, raportet e tij me institucionet e shtetit, pra edhe me presidentin, kryeministrin, Komisionin e Kuvendit për Siguri dhe me institucionet e tjera.

Kjo është me rëndësi edhe për të zbardhur shkallën e kontrollit politik të AKI-së, shkallën e përfshirjes së agjentëve të AKI-së në proces rekrutimi nga shërbime të ndryshme sekrete, shkallën e përfshirjes së AKI-së në operacione të shërbimeve sekrete të shteteve të tilla si Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre, shkallën e përfshirjes në gjithë këto me dijeninë dhe nxitjen e institucioneve të larta shtetërore dhe të klasës politike në përgjithësi.

Po ashtu, është momenti për të kryer një hetim të plotë, për të parë thelbin e privatizimeve strategjike në Kosovë, dhe përmasat e plota të këtyre privatizimeve jo vetëm për aspektet e tyre ekonomike, por edhe të atyre politike, të diplomatike, të sigurisë dhe të ndikimit të gjithë këtyre në funksionimin dhe sigurinë e shtetit të Kosovës.

Në këtë kuptim, qytetarët e Kosovës, opinioni i gjerë, fokusi medietik dhe publik duhet të përqendrohet te këto çështje dhe te çështje të tjera thelbësore për sigurinë e shtetit dhe funksionimin e tij, qoftë për aspektet e tij të brendshme, qoftë edhe për ato rajonale dhe më gjerë.