Rafinha rinovon, Lahm i jep fund futbollit të luajtur?

16.12.2016 17:29:48

A po bëhet gati Bayern München, që kapiteni Philipp Lahm të varë këpucët në gozhdë? Duket se po. Një e dhënë që bind për këtë u dha sot nga klubi me rinovimin zyrtar të mbrojtësit Rafinha. Brazilianit i përfundonte kontrata në qershorin e ardhshëm dhe rekordmenët njoftuan se ai do të luajë edhe për një sezon në Mynih. 31-vjeçari ka luajtur me kampionët e Gjermanisë që në vitin 2011 dhe gjithsej ka bërë 186 paraqitje si bavarez.

“Rafinha është një lojtar i rëndësishëm për ne, por gjithashtu një djalë shumë karizmatik në dhomat e zhveshjes”, – shpjegoi shefi ekzekutiv i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge. “Jam shumë i lumtur që rinovuam me të. Ai ka këtu gati gjashtë vjet. Bayern është si një familje e dytë dhe një nga klubet më të mira në botë”, – shtoi ai. Me rinovimin e Rafinha-s, tifozët marrin sinjalin se Lahm vitin tjetër do të bëhet drejtor sportiv, siç spekulohet prej kohësh.