Rakiqi: Policët, gjykatësit e prokurorët serbë do t’i lëshojnë institucionet e Kosovës

09.12.2019 20:36:51

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës Serbe për Kosovën, në një konferencë për medie në Beograd ka thënë se gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk dëshirojnë të punojnë në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë, sepse ai nuk është sistem i tyre, por sistem me të cilin dëbohen serbët

Në rast se vërtetohet dënimi prej dy vjetësh i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, institucionet e Kosovës do t’i lëshojnë edhe policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë. Kështu ka bërë të ditur lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka thënë se pas asamblistëve të Kuvendit të Zveçanit, të cilët në mbledhjen e fundit të Kuvendit kanë mbështetur propozimin e Listës Serbe për boshatisjen e institucioneve kosovare, një reagim i njëjtë ka ardhur edhe nga gjykatësit dhe prokurorët serbë në gjyqësorin e Kosovës.

Se këta të fundit kanë kërkuar t’i lëshojnë institucionet kosovare të drejtësisë e ka thënë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një konferencë me gazetarët të mbajtur në Beograd. “Punëtorët serbë të gjyqësorit me sistemin kosovar të drejtësisë duan t’i lëshojnë institucionet kosovare. Gjykatës e prokurorë serbë më janë drejtuar disa herë, sepse nuk dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë. Ata thonë se ky sistem nuk është i tyre, por është sistem me të cilin serbët dëbohen”.

Gjuriqi me këtë rast ka bërë të ditur se lidhur me rastin e Todosijeviqit i është drejtuar edhe Bashkimit Evropian. “E kam ftuar BE-në që qartë të thotë se a e mbështet deliktin verbal dhe shprehjen e lirë të serbëve në Kosovë dhe a është Ivan Todosijeviq viktimë e aparatit të ri politik, me mbështetje të tyre ose pa të. I gjithë ky tregim na kthen në të kaluarën. Todosijeviqi është dënuar me dy vjet burg, sepse askush nuk dëshiron që rajonin ta kthejë në të kaluarën dhe serbëve t’u ndalohet të shprehin gjykimin e tyre dhe qëndrimin politik, çfarëdo që është, rreth ngjarjeve të para 20 vjetëve”, ka shtuar ai.

Gjatë deklaratës së tij i ashtuquajturi drejtor i Zyrës Serbe për Kosovën tha se Todosijeviqi është viktimë e dëbimit të serbëve. Ndërkohë i ka bërë thirrje Brukselit të tregojë se pse ende nuk është formuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. “Zotërinjtë në Bruksel le të përgjigjen për ç’arsye edhe pas 2.441 ditëve nuk është formuar AKS-ja, për ç’arsye 380 ditë po zgjasin taksat 100 për qind. A janë këto vlera e principe evropiane?”, ka pyetur Gjuriqi.

 

Rakiqi: Jemi të vendosur të luftojmë për popullin tonë

Gjuriqi më tej ka thënë se serbët në Kosovë janë grupi më i rrezikuar etnik në Evropë dhe se janë me qindra serbë në burgjet e Kosovës me aktakuza të rrejshme dhe me procese fiktive pa dëshmi. Ai ka përmendur rastet e aktakuzave për krime lufta, si dhe rastin e të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit. “Disa nga ata njerëz janë në burg më shumë se një vit pa aktakuza, pa dëshmi dhe pa mundësi për t’u mbrojtur.

Kjo është tragjedi për familjet e tyre. Veprimi i bashkësisë ndërkombëtare në këto çështje është më shumë se i pakënaqshëm”. Ai ka thënë se përgjigje e shtetit të Serbisë ndaj këtyre kërkesave të gjykatësve dhe prokurorëve serbë është: “Pritni edhe ndonjë ditë, të shohim se në çfarë drejtimi po shkojnë gjërat. Mos t’ia heqim nga duart anës serbe dhe serbëve një instrument të mbrojtjes dhe të kontrollit, sido që të jetë ai”.

Ndërkaq Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka siguruar se nëse vërtetohet dënimi i Todosijeviqit prej 2 vjetësh burg institucionet do t’i lëshojnë edhe policët serbë, gjykatësit e prokurorët. “Sipas këtij aktgjykimi, serbët nuk guxojnë të flasin e as të mendojnë e po këtë nuk do ta pranojnë. Hapur u themi, mjaft! Nëse ky aktgjykim vërtetohet serbët do t’i lëshojnë të gjitha institucionet, nga ato lokale, ato qendrore e deri të institucionet e gjyqësorit dhe të policisë.

Se jemi të vendosur të luftojmë për popullin tonë nuk do të thotë se jemi të gatshëm ta pranojmë rolin që na e planifikojnë në Prishtinë, dekor përbrenda institucioneve kosovare, por edhe nuk do të thotë mbështetje blanko dhe vota për asgjë dhe për askënd”, ka theksuar ai.

Ndryshe, Lista Serbe ka vendosur që serbët t’i lëshojnë të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, nga niveli qendror deri tek ai lokal, si dhe serbët që punojnë në institucionet e sigurisë (Policia) dhe në ato të drejtësisë (prokurori e gjykata), nëse Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës e vërteton dënimin prej dy vjetësh, të cilin Gjykata Themelore e Prishtina ia ka shqiptuar Ivan Todosijeviqit, ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili njëkohësisht është edhe kryetar paralel i Zveçanit, për shkak të deklaratave të tij urrejtëse për masakrën e Reçakut.