Rama: As dorëheqje dhe as zgjedhje! Opozita është në krizë

18.02.2019 21:51:53

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe lider i Partisë Socialiste, nuk i mohon problemet e vendit. Korrupsioni për shembull ekziston. Sikundër janë edhe pakënaqësia e një pjese të tek të rinjtë. Dhe trafiku i drogës.

“Por qeveria ime po bën atë që asnjë qeveri tjetër ka pasur më parë kurajën ta bëjë për të eliminuar këto të këqija të shoqërisë”, – thotë ai në një intervistë për gazetën prestigjioze italiane, “Corriere Della Sera”.

Kryeministër, organizatat ndërkombëtare kanë evidentuar një nivel shqetësues të korrupsionit në Shqipëri.

Që në Shqipëri ka korrupsion, kjo është jashtë çdo diskutimi. Ka dhe është një problem. Por mund edhe të them se kjo qeveri po bën maksimumin për ta goditur.

Po, por ju jeni shefi i qeverisë prej 5 vjetësh e gjysmë.

Më lejoni t’iu them se ne jemi të përkushtuar maksimalisht në reformën në drejtësi: asnjëherë si tani po e luftojmë korrupsionin dhe po punojmë për ta bërë administratën publike imune nga ryshfeti.

Po ia dilni?

Pa dyshim është një luftë e gjatë: rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë.

Të dhënat makroekonomike tregojnë që papunësia ka pësuar rënie, edhe mes të rinjve. Por mes tyre ka sërish pakënaqësi…

Sot Shqipëria ka të dhëna shumë pozitive, mjafton të lexoni shifrat e Bankës Bortërore. Kjo nuk do të thotë se kemi zeruar papunësinë apo zgjidhur problemin e të rinjve, por do të thotë se jemi në rrugën e duhur.

Dhe pastaj është plaga e gjykatësve që japin vendime gjyqësore në këmbim të ryshfetit. Çfarë jeni duke bërë?

Atë që askush nuk ka pasur kurajën ta bëjë në vend dhe në Ballkan, gjë që e ka bërë të ditur edhe vetë Bashkimi Europian. Po bëjmë një reformë që largon nga gjykatat, gjykatësit e prokurorët e korruptuar.

Një tjetër problem vazhdon të jetë trafiku i drogës në disa qytete të vendit…

Nuk mund ta mohoj. Por pikërisht pak ditë më parë, Guardia di Finanza italiane, ka publikuar raportin për vitin 2018 mbi luftën për kanabisin në Shqipëri dhe fenomeni po luftohet nga qeveria ime.

Protesta e studentëve e pak javëve më parë, ju detyroi të ndryshonit disa ministra të qeverisë suaj. Kjo do të thotë se ato manifestime patën efekt?

Ishte një protestë e sinqertë, ku studentët denonconin problemet e vërteta. Për këtë i dëgjuam dhe i mirëpritëm kritikat e tyre.

Por protesta e së shtunës dhe tentativa për të sulmuar godinën e qeverisë, ka bërë xhiron e botës. Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Nuk po ndodh asgjë. Është më shumë se kurrë një krizë e thellë e opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politkisht. Kjo pakicë është më e dobët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017: nëse zgjedhjet do të ishin nesër, do të merrnin më pak vota.

Por opozita e drejtuar nga Lulzim Basha ka hedhur ndaj jush akuza të rënda: vjedhje votash, korrupsion. Thotë që keni lidhje me kriminalitetin e organizuar.

Nuk replikoj as ndaj këtyre akuzave. Jam i shqetësuar, sepse kjo praktikë e tillë për të hedhur shpifje nuk ndihmon as ata e as vendin. Shpresoj që herët a vonë arsyetimi të prevalojë mbi dëshpërimin.

Opozita kërkon dorëheqjen tuaj? Ju, çfarë keni ndër mend të bëni?

As që e mendoj një gjë të tillë. Unë kam pasur një mandat të qartë nga populli. Kemi një shumicë të fortë në Parlament dhe në fund unë kam një detyrim ndaj bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të plotësoj kërkesat e një pakice parlamentare. E vetmja kontratë është me popullin shqiptar që na ka dhënë votën për të qeverisur.

Pra, pas asaj që ndodhi të shtunën, biznesmenët italianë dhe të huaj nuk duhet të frikësohen?

Jo. E vetmja gjë që bëri protesta e opozitës, është që i dha një imazh negativ Shqipërisë me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë, që e kisha instaluar në lulishten e Kryeministrisë.