Rama: E meritojmë hapjen e negociatave. Juncker: Zgjidhni problemet me Greqinë

25.02.2018 23:54:11

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e KE-së Juncker, kryeministri Rama ka thënë se ka ardhur koha që Shqipëria ta meritojë rekomandimin e plotë për hapjen e negociatave me BE-në.

Kreu i qeverisë ka theksuar se reformat e nisura kanë nisur të japin frytet e veta, duke nënvizuar se procesi i Vettingut pritet të japë rezultatet e para në javët në vijim.

“Vizita e Juncker përmbush një zotim të vjetër. Pata mundësinë ta informoj nga afër Presidentin, për vijimin e reformave të Shqipërisë, për një proces intensiv për afrimin me BE-në dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënies së fqinjësisë së mirë në gjithë rajonin, – tha Rama. – Komisioni ka rekomanduar që në nëntor 2016 çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE e Shqipërisë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e çuarjes para të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të Vettingut. Në momentin e daljes së atij rekomandimit ne nuk kishim kaluar akoma ligjin e Vettingut, gjë që ka ndodhur dhe nuk kishim nisur punën konkrete për Vettigun, gjë që po ndodh”.

Rama më pas tha se ky proces pritet të japë së shpejti rezultatet e para. “Ne numërojmë 17 gjykatës së niveleve të larta të gjyqësorit shqiptar që janë tërhequr nga procesi i Vettingut, një tregues i qartë që Vettingu ka nisur të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi drejtësie të ri e të pavarur, – vijoi kryeministri. – Javët në vijim presim rezultate nga komisioni i Vettingut. Integrimi në BE nuk është një udhëtim për të shkuar gjetkë, por është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë evropiane në vendin tonë. Besoj fort se e meritojmë rekomandimin e fortë e të pastër të BE dhe shpresoj që vendet anëtarë do t’i përgjigjen në unamimitet kërkesës së BE, pasi i kemi përmbushur ato që na janë kërkuar, duke çelur rrugën drejt një anëtarësimi të plotë drejt BE”.

Juncker: Shqipëria të zgjidhë konfliktet territoriale

Ndërkohë, Presidenti i Komisionit Europian, e vuri theksin te përmirësimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët, duke saktësuar se gjithçka duhet të zgjidhet para datës së anëtarësimit.

“Shqipërinë e njoh nga larg, por jo mjaftueshëm. Janë bisedime që kanë nisur prej kohësh. Për ne, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë vende mike, aleate partnere, si Shqipëria që është një vend evropian. Por nuk duhet humbur shumë kohë sa na është dashur, duke parë historinë. Konstatoj me kënaqësi se Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres, se ka ndërmarrë shumë reforma mbresëlënëse dhe nëse këto vazhdojnë, do t’i lejojnë Shqipërisë që delegacioni evropian të hapë datën e negociatave. Nuk kam ardhur këtu për të caktuar datë, por vetëm të inkurajoj Shqipërinë të vijojë reformat e nisura”.

Juncker tha se të gjitha problemet me Greqinë duhet ta zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i hapur rrugën datës së çeljes së negociatave.

“Inkurajoj Shqipërinë që problemet ndërkufitare të zgjidhen deri në datën e rekomandimit, sepse kjo është një provë për Shqipërinë për t’u bërë anëtare e BE-së. Ne e mbështesim Shqipërinë të përmirësojë marrëdhëniet me vendet fqinje. Konfirmoj se vendi i Shqipërisë është BE. Të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, ta përdorim hapjen nga të dyja palët, për zgjidhjen e këtij problemi që s’është akoma një konflikt, por zgjidhja e tyre duhet bërë para anëtarësimit”, – theksoi Juncker.