Rama: Falë marrëveshjes me Bashën në fund të vitit hapim negociatat me BE-në

25.05.2017 15:18:07

Pas zgjedhjeve, Shqipëria do t’i kërkojë BE-së hapjen e negociatave, me zërin e unifikuar të mazhorancës dhe opozitës. Kështu deklaroi Kryeministri Rama në Bruksel pas takimit me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Mogherini.

Kryeministri Rama pohoi se falë marrëveshjes së arritur në Tiranë, tashmë pritet të bjerë edhe pengesa e fundit që nuk lejonte uljen e Shqipërisë në tryezën e negociatave.

Tirana zyrtare duket se i ka shpresat te influenca e Berlinit në politikën europiane, siç shpjegoi Rama i pyetur nga ABC News.

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi standardet zgjedhore, Rama pohoi se me përfshirjen e opozitës në qeveri, garantimi i tyre nuk është më vetëm detyrim i tij por i të gjitha partive në qeveri. Për këtë, Kryeministri shprehu bindjen se 25 qershori duhet të jetë vija ndarëse mes të ardhmes dhe të shkuarës së zgjedhjeve të kontestuara.