Rama mesazh Bashës me fjalët e Migjenit: Do iu vijë heshtja

21.06.2019 15:04:37

Edi Rama iu ka përcjellë një mesazh të tërthortë drejtuesve të opozitës.

Pak orë para protestës, kryeministri Edi Rama iu ka përcjellë një mesazh të tërthortë drejtuesve të opozitës.

Rama iu drejtohet opozitarëve me fjalët e Migjenit, duke iu thënë se çdo vikamë fillon e mbaron me heshtje dhe pastaj fillon puna.

“Në varrimin e idhujve të vjetër kumbonat kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për të thye kurrizin së faluni dhe zhrecvet do t’u këputen telat e fytit së kënduari. Dhe do të vijë heshtja. Se çdo vikamë fillon e mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna. “Idhuj pa krena” – Migjeni”, shkruan Rama.

Ky mesazhi i Ramës vjen pak orë para protestës së nëntë kombëtare të opozitës, e cila do të zhvillohet në orën 20:00 para Kryeministrisë dhe Parlmanetit.

Ndërkohë, kujtojmë që ditët e fundit vendi është përfshirë nga tensione dhe përplasje në KZAZ-të e disa bashkive në vend, pasi mbështetësit e opozitës nuk lejojnë zhvillimin e procesit zgjedhor, referuar dekretit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar ditën e zgjedhjeve.