Rama, Metës: Ti mendohu, ne përpara

02.04.2017 15:42:06
Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë më i qartë se këtë të dielë, 10 javë para zgjedhjeve, për dëshirën e Partisë Socialiste për të fituar së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim një mandat të dytë qeverisës.
“Ne as e kemi diskutuar e as e diskutojmë koalicionin ku jemi, si opsionin tonë më të pëlqyer. Duke qenë se pala jonë është e qartë, i takon palës tjetër të vendosë në ditët në vijim pozicionin e saj për 4 vitet e ardhshme”, tha Rama.

Arsyeja, siç tha kryeministri, është thellimi i reformave për të bërë shtet: “Nëse e masim siç duhet dhe si na takon neve ta masim, jo se unë jam më i gjatë, por sepse Partia Socialiste është më e madhe, nga lartësia ku duhet të mbërrijmë në 4 vitet e ardhshme për Shqipërinë që duam, nuk ka asnjë diskutim për ne vlera dhe rëndësia strategjike e partneritetit tonë me LSI-në”.

Megjithatë, Edi Rama, i cili i quajti kritikat e LSI-së si përpjekje për të fituar vota para zgjedhjeve, ishte i qartë për rëndësinë e Partisë Socialiste: “Për vetë fazën ku janë reformat dhe ku është procesi historik i të bërit shtet, nuk do të ishte më e mira për Shqipërinë që duam që partneriteti ynë qeverisës të ndërpritej. Pavarësisht se ne do të shkojmë në këto zgjedhje më të vendosur se asnjëherë për të marrë çdo votë të mundshme për Partinë Socialiste. 75 ditë për të mos parë majtas, djathtas, mbrapa, por për të parë vetëm përpara”.

Sido që të vendoset për koalicionin, vota për socialistët, mesa duket, është e panegociueshme: “Sepse Shqipërinë mund ta bëjë shtet vetëm Partia Socialiste. Patjetër që ne jemi të nderuar të kemi edhe aleatë, por çdo aleat duhet të jetë krenar dhe i nderuar që të jetë me ne në këtë betejë për të bërë shtet. Jashtë rrugës së kësaj beteje, nuk ka krenari dhe nder për asnjë parti”.

Fjalimin përpara Asamblesë Parlamentare, kryeministri e përdori edhe për të përforcuar qëndrimin lidhur me datën e shtyrjes së zgjedhjeve, një opsion që ka nisur të artikulohet nga opozita.

“Për ta, nga ne, ka vetëm një ftesë: dilni nga çadra që të ballafaqohemi me popullin. Megjithatë, çadra është zgjedhja e tyre, në 18 qershor janë zgjedhjet e popullit. Data e zgjedhjeve nuk shtyhet”, u shpreh Rama.

Kërkesën e opozitës për qeveri teknike, Edi Rama e interpreton si justifikim të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje: “Opozita, në një vend pluralist, nuk është monopol i një partie. Nëse Partisë Demokratike i ka ardhur dita t’i japë lamtumirën jetës politike, bashkë me zotin Nardi dhe me zotin Vangjeli, ne nuk mund veçse t’i themi lamtumirë”.

Por, a mund të bëhen zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës? “Nuk e kemi fare merakun se mund të mbetet vendi pa opozitë. Do të ndryshojnë emrat e flamujt, po opozitë do të ketë gjithmonë në Parlament”.

Megjithatë, Edi Rama kishte një paralajmërim. Dhe ai nuk u duk se adresohej tek opozita: “Asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes sepse mund të mbytet në atë lumë”.