Rama në takim me Hotin flet për heqjen e vizave: Turp për BE-në, po e mbanë peng një popull

03.07.2020 11:03:57

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po qëndron në Shqipëri në një vizitë zyrtare, ku sot është takuar me homologun e tij shqiptar, Edi Ramën.

Rama tha para mediave se janë dakorduar me Hotin për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive, shkruan lajmi.net.

“Sot, kemi mundësi të flasim në detaje lidhur me të gjitha spektret e bashkëpunimit dhe do të vazhdojmë edhe pas konference të diskutojmë. Jemi dakordësuar për të përcaktuar një  mbledhje të përbashkët në gjysmën e dytë të shtatorit”, tha ai.

Rama në këtë konferencë foli edhe njëherë për aktakuzën e Speciales kundër Thaçit e Veselit.

“Dëshiroj që rinënvizoj edhe njëherë ato që u përpoqa të përcjell qoftë edhe në Kuvendin e Shqipërisë qoftë edhe në vizitën time në Kosovë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletë-rrufeje, duke theksuar  që ajo fletë-rrufe duhet të përbej një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politik shqipfolës, qofshin në Kosovë apo në Shqipëri, për të qënë të njëtrajtshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë”, tha Rama.

Rama tha se kanë diskutuar për të shtyer përpara procesin e bashkëpunimit.

“Shpresoj që është një ogur i mirë që kryeministri Hoti vjen  për rrugët e bashkëpunimit. Ai ka mbuluar me përgjegjësi institucionale aspekte të financave dhe ekonomisë. Besoj që përvoja e tij do të jetë një vlerë e shtuar në këtë proces”, ka thënë ai.

“Sa i përket eksportit apo importit të dy vendet të kenë një dokument, pa pas nevojë për ta çuar në dy palë burokratë, inspektorë dhe procese që nuk janë të lehta”, tha ai.

Rama tha se ka ripërsëritur se në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejtë, në të gjithë procesin e kohezionit strategjik që ka të bëj me lëvizjen e mallrave dhe shërbimit.

Në këtë kontekst, ai përmendi mini-schengenin ballkanik.

“Në rast se ne futemi në kornizën e Schengenit rajonal askush nuk na pengon që të hapim kufirin për levizjën e njerëzve pa asnjë kontroll”, tha Rama.

Ai në këtë konferencë foli edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët, proces ky që sipas tij po pengohet nga politikat e BE-së.

“Është një turp për BE-në që mbanë peng një popull, që ende ndalohet të lëviz lirisht sit ë gjithë të tjerët. Si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësohen para se të marrim liberalizimin e vizave. Arsyeja nuk gjendet në Kosovë, apo në ndonjë paaftësi të Kosovës. Arsyeja është në politikën e brendshme të BE-së”, tha Rama