Rama: Nuk ulem në dialog me Bashën, nuk i hapim rrugë çetave – ka ardhur koha që ata të treten rrugëve

23.06.2019 20:16:50

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli sërish për braktisjen e zgjedhjeve nga PD dhe LSI.

Rama tha për partitë opozitare se “ka ardhur koha që ata të treten rrugëve, që atyre të mos u jepet asnjë mundësi e vetme për t’u shpërblyer në asnjë formë, pasi i hynë një rruge të tillë.”

Ai shtoi se PS i ka shpërblyer në të kaluarën kundërshtarët dhe për këtë arsye “mbase është krijuar ideja te ata, nga Saliu i pari, që socialistët janë njerëz të butë dhe nuk e duan konfliktin, kështu që hajde t’i marrim përpara se socialistët të hapin rrugë. Ajo kohë kur socialistët i hapnin rrugë budallait, ka mbaruar”,

“PS nuk ka për t’i hapur rrugë çetave që duan të marrin peng vendin, por përkundrazi, në 30 qershor do t’i japë një përgjigje që ashtu siç e meritojnë”, u shpreh Rama në Gjirokastër ku prezantoi Flamur Golemin si kandidat të Partisë Socialiste për bashkinë.

“E lanë rrugëve Partinë Demokratike, duke u përpjekur të marrin peng vendin. PD është kthyer nga një parti politike, në një organizatë të dhunshme. Ne sot kemi shumë keqardhje për Partinë Demokratike. Ka ardhur koha që ata të treten rrugëve dhe ka ardhur koha që mos t’ju jepet asnjë mundësi tjetër, siç ka ndodhur në të shkuarën.

U kemi dhënë mundësinë në të shkuarën dhe në të shkuarën kanë thënë që socialistët hapnin rrugën. Por ajo kohë kur socialistët i hapin rrugë budallait ka mbaruar. Partia Socialiste nuk ka për ti hapur kurrë rrugë çetave që duan të marrin peng vendin. Kjo që po ndodh është një serie e re, e një filmi që e kemi parë në të shkuarën. Ju kujtohet të gjithëve që në 2017-në ikën nga Parlamenti. Në 2017-në u ktheva në një Romeo që lutja Zhuljetën.  Sa i jam lutur atij njeriu, nuk do i isha lutur të tërë Argjirove që ka parë Gjirokastra. Pasi iu luta aq shumë, e binda dhe i dhashë gjysmën e qeverisë që të futej në zgjedhje. Nëse shtyhen zgjedhjet sepse një tufë humbësash të tmerruar, i imponohen shumicës, apo qoftë edhe një shumicë që nuk do të bëjë zgjedhje, atëherë nuk ka më zgjedhje dhe demokraci, por ka rrumpallë, rrëmujë dhe gallatë”, – u shpreh Rama nga Gjirokastra.