Rama: Reforma në arsim duhet të ishte bërë vite më parë

13.01.2017 13:16:52

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar reformën e kryer në arsim. Në një takim të zhvilluar me nxënësit më të mirë të vlerësuar nga PISA, Rama theksoi se nëse kjo reformë do të ishte zhvilluar më parë, gjërat do të ishin ndryshe në vend.

“Reforma jonë në arsim me këto rezultate është provuar si gjëja e drejtë. Natyrisht që rezultatet e reformës ashtu si çdo reformë duan kohë, duan vite dhe patjetër që edhe reforma në arsim do të dojë kohë të provohet në faktet reale të jetës përtej mureve të shkollës, si një nxitëse e pazëvendësueshme e një transformim të madh ekonomik e social të Shqipërisë. Gjithë kundërshtia e reformës në arsim nuk është përmbajtësore, por ideologjike. Ideologjia e lëmoshës, e qetësimit të gjakrave dhe e uljes së tensioneve për të kaluar radhën. Ideologjia qeverisëse e Shqipërisë për 20 e ca vite ku kushdo që qeverisi nuk mendoi për gjeneratën tjetër, por zgjedhjet e tjera.

Dua që ta dini se jeni model frymëzimi, për mua personalisht dhe për të gjithë ata që në Shqipëri kanë zgjedhur të guxojnë të shpresojnë që në këtë vend mund të bëhet sukses, dhe së bashku mund të bëjmë sukses. Të gjithë ata që kanë zgjedhur rrugën e vështirë që nuk kalon nga kafja, nga orët e lira që i krijojnë vetë duke lënë orët e mësimit, nuk kalon nga 1001 justifikimet dhe fajësimet e të tjerëve për një gjendje që mund të mos jetë optimale, por kalon nga vullneti i hekurt për t’ia dalë”, tha Rama.