Në intervistën për agjensinë turke, fjalët e kryeministrit shqiptar për Europën duken të ngarkuara me negativitet, qoftë kur flet për procesin e integrimit, qoftë kur flet për mungesën e vizave në Kosovë.
Në njërën anë, kur përshkruan bllokimin e integrimit të Shqipërisë, Rama flet për “turbullira të brendshme”: “Procesi i integrimit evropian është gjithmonë e më i ndërlikuar dhe njëkohësisht më i paparashikueshëm për shkak të vetë turbullirave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe të erërave kundër zgjerimit dhe kundër vetë Bashkimit Evropian brenda disa vendeve të rëndësishme anëtare”
Në anën tjetër e akuzon Bashkimin Europian për një turp që po kryen me shqiptarët e Kosovës: “Dua të them që është një turp i madh i Bashkimit Evropian dhe këtë e kam thënë dhe publikisht, dhe e them gjithmonë që akoma sot populli i Kosovës mbetet i izoluar dhe i vetmi popull në të gjithë kontinentin që nuk ka të drejtë të lëviz lirisht”, thekson Rama.
“Është e vështirë t’ua shpjegosh, në fakt njerëzve në Kosovë, atë që është e pashpjegueshme… si ka mundësi që kur ishin nën një diktaturë nga e cila bën luftë dhe paguan me shumë sakrifica dhe humbje jetësh lirinë e tyre, lëviznin lirisht dhe sot që janë në shtetin e tyre sovran dhe të njohur nga pjesa e madhe e vendeve evropiane dhe nga të gjitha fuqitë e mëdha, ata janë i vetmi popull që nuk ka të drejtë të lëvizjes. Ky është një turp”, shton Rama.