Ramos “hesht” “Camp Nou”, “El Clasico” mbyllet 1-1

03.12.2016 21:16:31

Nuk ka fitues në klasiken e futbollit spanjoll, në sfidën më të mirë të globit, aty ku yjet e mbrëmjes nuk ishin Messi dhe Ronaldo. Në Camp Nou, dy nga skuadrat më të mira të rruzullit tokësor, dhuruan një mbrëmje emocionuese deri në sekondën e fundit, aty ku dhe rezultati nuk ishte i sigurtë. Luis Enrique i beson treshes MSN, ndërsa Zinedine Zidane duhet të bënte pa Gareth Bale, duke i besuar dyshes së sulmit Ronaldo – Benzema. Barcelona kërkonte fitoren për të shkurtuar diferencën me Madrilenët, të cilët kishin synimin ta conin në 6 numrin e fitoreve radhazi. Minutat e para tregojnë një Barcelonë dominuese që në minutën e 10 ka një mundësi të artë.

Sergi Roberto pasi ka bërë gjithcka mirë por gjuajtja e tij bllokohet nga njëri prej kundërshtarëve në rrëshkitje e sipër. Për të parë rastin e dytë të rrezikshëm, duhet pritur disa minuta teksa janë sërish katalanasit. Në minutën e 21 Luis Suarez pasi mer një asist në zonë, teksa gjuajtja e tij ndalet sërish nga njëri prej kundërshtarëve. Kundërpërgjigja e Realit vjen në minutën e 37, kur Cristiano Ronaldo sheh që goditja e tij ndalet nga një super Ter Stegen. Dueli Ronaldo-Ter Stegen vijon pak sekonda më vonë, por portieri gjerman eviton një tjetër rrezik në portën e tij. Fundi i pjesës së parë është e tëra për Los Blancos, në minutën e 44 është Karim Benzema që në mes të zonës kontrollon një top dhe godet, por Ter Stegen është sërish në lartësinë e duhur. Nga goditja e këndit vjen një krosim në zonë me Rafael Varanë por sërish gardiani i blaugranave tregon reflekset e tij. 0-0 mbyllet pjesa e parë me Barcelonën që kontrolloi gjithcka në fillim për të vuajtur presionin e kundërshtarit në fundin e takimit. Edhe pjesa e dytë është fotokopje e të parës.

Goli ndjehej në ajër dhe në minutën e 53 është Luis Suarez që zhbllokon klasiken me kokë pas një krosimi të Neymar. Ky është goli i 9 në kampionat për uruguaianin teksa për brazilianin asisti i 6 sezonal, duke qenë më i miri për skaudrën e tij. sfida bëhet më interesante, pasi Reali ëkrkon reagimin ndërsa Barca golin e Nokautit. Benzema në minutën e 58 nuk mer si duhet një top në zonë, ndërsa dy minuta më pas në fushë rikthehet Andres Inesta. Në të 68 është Neymar ai që vallëzon në zonë por goditja nuk është në lartësinë e shpërthimit të tij. 3 minuta më vonë sërish braziliani pas një avancimi në zonë tenton goditjen drejt portës, por kësaj radhe gjuajtja ndalet nga Varane. Në minutën e 82 Messi tregon se është në fushë me një goditje brenda zonës, por që përfundon larg portës. Fundi i takimit është emocionues me Realin që kopjon pjesën e parë duke kërkuar me ngulm golin.

Në të 89 një krosim nga e majta gjen të lirë Ronaldon por portugezi gabon duke mos gjetur rrugën e rrjetës. Në minutën e 90 njeriu i minutave të fundit, kapiteni dhe njëkohësisht shpëtimtari i Realit të Madridit, Sergio Ramos kërceu më lartë se të gjithë duke realizuar me kokë golin e barazimit. Ashtu si në finalen të vitit 2014-të por edhe në atë të Superkupës së Europës së këtij viti, Ramos realizoi një tjetër gol të rëndë me specialitetin e tij që janë goditjet me kokë, duke bërë të heshtë Camp Noun. Një finalizim që mbajti të pandryshuar diferencën prej 6 pikësh në klasfikimin e La Ligas mes Realit kryesues dhe Barcelonës që ndjek nga pas. Në sekondat e fundit blaugranat patën mundësinë për të kaluar sërish përpara por Varane largoi topin mbi vijën fatale. Përfundoi gjithcka në barazim 1-1 një rezultat që ishte ndoshta më i drejti për cfarë shfaqën dy skuadrat në fushë.