Ramush, a të kujtohen flakët që ia vije shtetit? Skenar serbo-rus zbatoje atëherë, Ramush!

13.02.2019 14:30:17

Nga Rexhep Kastrati

Ramush Haradinaj paska folur për para ruse për të ndarë Kosovën, duke pranuar se ndarja është skenar serrbo-rus, edhe pse nuk e ka pasur problem që këtë ta kuptonte më herët, pasi që opcionin e ndarjes, Serbia e ka paraqitur herët, madje edhe në negociatat në Vjenë, por edhe më vonë.

Mirëpo, ajo që duhet ta pranojë Ramushi, është fakti se bashkimi me sektënb okulte të Albinit dhe nën dirigjimin e PDK-së, gjatë viteve 2015 – 2017, për të djegë institucionet e shtetit, ishte në funksion të skenarëve serbo-rus për ndarjen e Kosovës.

Nuk janë vite të largta, vitet 2015-2017 për t’u harruar kur një popull i tërë mbahej në ethe dhe në terror të rëndë psikologjik nën efektin e çrregullimeve të stresit post-traumatik që vinin nga kohë gjenocidale e luftës, për çka nuk qe e vështirë të organizoheshin eksode kolektive me autobusë nëpër Serbi, ku përjetonin dhe ripërjetonin poshtërime, madje edhe dhunime si në kohë të luftës, vetëm për të ikur nga frika se mund të shpërthente sërsishmi lufta.

Dhe gjithë këto: lufta speciale, dhuna, anarkia dhe tribalizimi ishin në bazë të skenarëve serbo-rusë për destabilizimin e Kosovës, për të komprometuar shtetin e Kosovës dhe për të bindur shumë shtete se kishin gabuar që e kishin njohur Kosovën, kurse shumë shtete aleate për të dyshuar se a kishin bërë mirë që kishin ndihmuar pavarësimin e Kosovës!

Atëherë, Ramushi nuk donte t’ia dinte për skenarë serbo-rusë, nuk donte t’ia dinte as rreziqeve për destabilizimin e Kosovës që mund të mundësonte realizimin e skeanrëve ukrainas për ankesimin e veriut nga ana e Serbisë.

Si një babaxhan, por edhe si një kauboj tipik arrogant dhe tribal, Ramushi kërcënonte kryeministrin e vendit edhe me burgosje, kurse Kuvendin e kish kthyer bashkë me Albinin, në një arenë lufte.

Ramush Haradinaj nuk donte t’ia dinte se vetëm Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre ishin të interesuar që të binte shteti, që të binte qeveria, e cila për herë të parë ia kish treguar kufirin Serbisë, dhe kishte treguar se këtu kishte shtet. Përkundrazi, Ramushi me pjesën tjetër të klasës politike u çuan peshë dhe zbatuan urdhërin e Vulinit për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa!

Ramushi nuk pat gajle se u bë faqja e zezë duke pritur me orë të tëra listën “Srpska” për të ardhur nga Serbia dhe për të votuar atë kryeministër dhe qeverinë që si e tillë nuk i duhej Kosovës.

Ramushi, duhejta kuptonte se rrëzimi i qeverisë “Mustafa” nuk u bë për shkak të koalicionit me PDK-në, por për shkak se nuk kish lejuar presidentin e Serbisë të futej në Kosovë, se nuk ish pajtuar që Asociacioni të bëhej pa vlerësimin e marrëveshjes nga ana e Gjykatës kushtetuese, që kishte bërë ligjin për “Trepçën”, që kish miratuar ligjin për investime strategjike. Me fjalë të tjera, që kish treguar se këto kishte shtet dhe nuk mund të luhej me të.

Së këndejmi, Ramushi duhej ta kuptonte se nuk u bë kryeministër pse ka gjoks e mund t’ia vëjë trenave apo tankeve serbe për të mos lejuar që të hynin në Kosovë, as pse e ka kokën të rruar, as se është burri i Anitës, por për të lujatur me të në përputhje me planet Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

Dhe tash duhet të ballafaqohet me peshën e marrëzive dhe të budallakive të tij, por edhe tëp pasionit të sëmurë për të qenë kryeministër, dhe të ballafaqohet me situatën e krijuar, edhe pse nuk ka asnjë xham të thyer, nuk ka asnjë shkëndijë flake, nuk ka asnjë promil të gazit lotsjellës, nuk ka asnjë grumbullim histerik para godinës së qeverisë apo të Kuvendit. Pra, nuk ka skena siç ka krijuar vetë gjatë viteve 2015 -2 016.

Dhe shpëtimin e vetëm e ka vetëm që të jetë në përputhje me qëndrimet e SHBA-ve, t’u mbështetet fort atyre dhe ndërmjet arrogancës dhe fodullëkut personal dhe bashkërendimit me amerikanët, të zgjedhë bashkërednimin me amerikanët.

Duhet ta kuptojë se Hashimi e Kadriu ia kanë luajtur lojën, e kanë mashtruar me taksën, sepse nuk i ka vënë taksë Serbisë, pasi ajo nuk e ndien fare këtë taksë, por i ka vënë taksë marrëdhënieve të Kosovës me aleatët dhe në përgjithësi me bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo taksë i ka dhënë avantazhe të mëdha Serbisë e Rusisë, pra edhe si e tillë, kjo është në përputhje me skenarë serbo-rusë, kurse e ka izoluar tepër shumë Kosovën, e ka komprometuar atë me pasoja tepër të rënda dhe afatgjata.

Prandaj, kjo taksë që nuk u desh të vihej fare, duhej të hiqet sa më shpejt, që dëmet të mos jenë më të mëdha për Kosovën.

A mund ta bëjë Ramushi këtë? A do e lënë mediet dhe portalet e kontrolluara nga Hashimi e Kadriu?

Edhe pse e vështirë, ai duhet ta bëjë, që të mund të shkëputet nga kombinimi si në foton në ballinë të këtij shkrimi.

Duhet ta bëjë për veten, por edhe për Kosovën, dhe duhet ta kuptojë se Hashimi e Kadriu duan t’ia lënë këmbët e arushës në dorë, siç ia lanë Isës, çështjen e demarkacionit dhe të Asociacionit!