Ramush dhe ju mjeranë të tjerë a keni turp more që mashtruat një popull?

30.06.2017 12:34:59

Nga Rexhep Kastrati

“Kufijtë kadastralë duhet të përputhen me kufijtë e republikave. Kufiri i çdo shteti duhet të definohet me kufijtë e komunave, të cilat definohen me anë të distrikteve të brendshme kadastrale”, ka thënë gjyqtari Gilbert Guillaume.

Gjykata e Arbitrazhit në Hagë ka konfirmuar se parimi kadastral është parimi në bazë të të cilit përcaktohet vija kufitare ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Në këtë mënyrë është shuar edhe argumenti i fundit që është përdorë nga kundërshtarët e Marrëveshjes për demarkacion me Malin i Zi, të cilët kundërshtonin parimin kadastral në përcaktimin e vijës kufitare me këtë shtet fqinj. Po ashtu, Gjykata e Arbitrazhit në Hagë, ua ka këputur edhe mundësinë që të manipulojnë duke thënë se do ta çojmë në Arbitrazh. Dhe Arbitrazhi tashmë ua ka dhënë përgjigjen.

Kundërshtarët e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, kundërshtimin e pjesëmarrjes në komisione të ndryshme, e arsyetonin me faktin se me parimin kadastral, rezultatet do të jenë të njëjta si të   si të Komisionit Shtetëror. Me këtë, ata e dinin se nuk ka rezultat tjetër, por e manipuluan opinionin me mashtrimin se do ta çojnë çështjen në Arbitrazh dhe Arbitrazhin e konsideronin si Qeverinë e Kosovës dhe me disa molotovë e me mjete tjera të dhunshme, ia imponojnë teket e tyre. Dhe opinioni që tërhiqet nga emocionet e nxitura nga tribalizmi politik i tipit të Ramushit të përpunuar edhe në Francë, kujtoi se njëmend mund të bëhen mrekullira. Dhe vota për VV-në, AAK-në e Nismën ishte votë kryekëput për kundërshtitë që ia bënë edhe Marrëveshjes për Demarkacion, prandaj sikur vendimi i Arbitrazhit për Demarkacionin Kroaci – Slloveni të ishte marrë para zgjedhjeve në Kosovë, nuk do të ndodhte të ishte ky rezultat që ka dalë, edhe pse, edhe ky është i manipuluar.

Se kundërshtarët e Demarkacionit me Malin e Zi kanë mashtruar, dëshmon edhe fakti se VV ka heqë dorë nga gjithë paraqitja e saj parazgjedhore dhe ka pranuar gjithçka, kurse Fatmir Limaj aq të lehtë e bëri Demarkacionin dhe sociacionin sa tha se deri në tetor duhet të kryhen. Dhe është e qartë se këtu ka një pafytyrësi të madhe, por po ashtu, është e vërtetë se nuk mund tëkërkohet nga dikush atë që nuk e ka: në këtë rast fytyrën.

Tash është çështje e opinionit të gjerë, është çështje e qytetarëve të vlerësojnë edhe përgjegjësinë e tyre pse lejuan që të mashtrohen, sepse si të mashtruar, shpërblyen manipulatorët, të pafytyrët dhe ata që punojnë kundër interesave shtetërore. Secili duhet të pyesë veten: a ia ka vlejtur të humben dy vite për kauza fiktive? A ia ka vlejtur të vrapohet pas tribaizmit politik që bazohet në lartësimin i individit në konceptin feudal-fisnor në procese shtetndërtuese, rajonale e gjeopolitike?

Horrat më të mëdhenj përdorin retorika më të forta patriotike, sepse patriotizmi është streha e fundit e tyre. Dhe kjo tashmë është konfirmuar edhe në Kosovë për të satën herë. Dhe këto është përparësia e filozofisë politike të presidentit Rugova, sepse ajo nuk ka përdorë retorika patriotike, por ka kryer punë të forta patriotike. Presidenti Rugova kurrë nuk ka thënë se vetëm unë mund ta bëj këtë ose atë, por gjithnjë ka thënë se ka shumë të tjerë që mund ta bëjnë punën si duhet. Prsidenti Rugova kurrë nuk ka thënë: Do ta bëj, por e ka bërë. Edhe për bashkimin kombëtar ka thënë: nuk duhet të flasim, por duhet të punojmë që ta bëjmë.