Ramush Haradinaj: Do të sigurojmë që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë të drejta të barabarta

23.09.2019 12:31:48

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar pjesëtarët e “Handikos”, të cilëve ua ka shpalosur zotimet siç ka thënë ai për gjithpërfshirje, punësim dhe drejtësi shoqërore për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në vend.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj, ka shkruar se me vullnetin dhe punën e të gjithëve do të sigurojnë që çdo fëmijë dhe i rritur me aftësi të kufizuar të gëzojë të drejta të barabarta duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për të gjithë.

“Në takim me pjesëtarët e ‘Handikos’, sot kam shpalosur zotimet tona për gjithëpërfshirje, punësim dhe drejtësi shoqërore për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në vend.

I lumtur që vizioni ynë zbatues ka rezultuar me veprime konkrete siç është vendimi për pensionin për rreth 2.500 qytetarë kosovarë me paraplegji dhe tetraplegji, si dhe miratimin e Rregullores për lehtësira doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar dhe për personat me aftësi të kufizuar që ushtrojnë veprimtari të pavarur.

Me vullnetin dhe punën e të gjithë neve do të sigurojmë që çdo fëmijë dhe i rritur me aftësi të kufizuar të gëzojë të drejta të barabarta duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për të gjithë.

Po sot, bashkë me anëtarët e Hendikosit kujtuam një nga aktivistet e hershme të kësaj organizate, të ndjerën Sabrije Zeqaj”, ka shkruar Haradinaj.