Ramush Haradinaj do të udhëtojë sot për në Bruksel

Ramush Haradinaj do të udhëtojë sot për në Bruksel

18.12.2017 09:30:04

Kryeministrat e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës janë të ftuar nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Këshilltari për media i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi tha se Haradinaj dhe homologët e tij nga katër shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të ftuar në një darkë nga Mogherini për nder të festave të fundvitit.

“Kryeministri Haradinaj do të niset për Bruksel në takim me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Matoshi

Në takimin e tretë të këtij lloji për këtë vit, përfaqësuesja e lartë dhe kryeministrat pritet të diskutojnë zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën për 2018, viti që do t’u ofrojë partnerëve në rajon mundësinë e vetme për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE.

Përveç Haradinajt në Bruksel te Mogherini do të jenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë Zoran Zaev, i Malit të Zi Dushko Markoviq , kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq.