Ramush Haradinaj kërkon ndihmën e Francës në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s

01.06.2018 13:42:03

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në takimin me sekretaren e Shtetit të Forcave të Armatosura të Francës, Genevieve Darrieussecqe, tha se Franca është partner i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.

Haradinaj në takimin me Darrieussecqe kërkoi mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të posaçëm në INTERPOL dhe UNESCO.

“Kosova është mirënjohëse për kontributin e dhënë ndër vite nga Franca dhe është e përkushtuar që të çoj përpara partneritetin politik, ekonomik dhe diplomatik”, tha Haradinaj.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi sekretaren Darrieussecqe për të arriturat e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, për proceset që po kalon vendi ynë, në veçanti për tranzicionin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

“Synimi ynë strategjik është të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe Francën e shohim si partner në këtë rrugëtim”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, Sekretarja e Shtetit pranë Ministrit të Forcave të Armatosura të Francës,  Genevieve Darrieussecqe, siguroi kryeministrin Haradinaj që shteti francez edhe më tutje do të jetë përkrahës i fuqishëm i të gjitha zhvillimeve në Kosovë, me theks të veçantë atyre të sigurisë.

Sekretarja Darrieussecqe, përshëndeti të arriturat në Kosovë që nga periudha e pasluftës, duke theksuar përkushtimin e Francës për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset integruese.