Ramush Haradinaj kërkon të sqarohet se a është kishë apo jo, objekti në kampusin universitar: shqiptarët kanë kisha vetë, nuk anë problem me to

27.09.2016 09:59:17

Kreu i AAK-së thotë se shqiptarët historikisht i kanë respektuar tempujt fetar, mirëpo ai ngrit një dyshim duke thënë se nuk e di nëse objekti në fjalë mund të quhet kishë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për KALLXO.com ka folur për çështjen e Kishës ortodokse brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, e aktualizuar kohëve të fundit pas përpjekjeve për funksionalizim të saj dhe protestave të studentëve.

Haradinaj thotë se shqiptarët historikisht i kanë respektuar tempujt fetar, mirëpo ai ngrit një dyshim duke thënë se nuk e di nëse objekti në fjalë mund të quhet kishë.

“Nuk e di nëse është kishë kjo, shtrohet pyetje a është kish ky objekt që po flasim. Ky është një objekt i ndërtuar në periudha kur në Kosovë është zbatuar gjenocidi. Ky objekt i ndërtuar në atë kohë nuk e ka marrë ndonjëherë atë epitetin e një tempulli fetar, dhe si i tillë duhet të trajtohet që nga origjina deri sot nga nga institucionet e vendit”, tha Hardinaj.

Kreu i AAK-së ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qeveria që t’ua qartësojë qytetarëve se a është gjithçka në rregull me Kishën.

“Nëse nuk është në rregull mënyra e ndërtimit të një objekti të tillë në oborr të Universitet, le ta na shpjegojnë, duhet Komuna, Qeveria të tregojnë”, tha Haradinaj.

Megjithatë Haradinaj thotë se shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë problem me Kishën, si objekt fetar, mirëpo thotë se kjo nuk ka shërbyer asnjëherë si kishë.

“Populli jonë ka mospajtim me objekte të tilla, nuk po themi me Kishë, sepse shqiptarët kanë kishë edhe të veten, kryqin e kanë të njohur ndër shekuj, por kjo nuk dimë nëse është kishë, nuk ka shërbyer si kishë, kjo qenë e ndërtuar prej paramilitarëve, gjë që është e habitshme”, tha Haradinaj.