Ramush Haradinaj: Kosova ka nevojë për zërin e Maltës

06.03.2019 14:11:29

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, takoi sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, të Maltës, Carmelo Abela, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike dhe progresin e arritur në Kosovë, prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet evropiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.

Haradinaj me këtë rast, tha se Malta është njëra nga vendet mike të Kosovës, duke zhvilluar gjithmonë raporte korrekte me këtë vend dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë meqenëse Kosova është e përkushtuar që të avancojë me raportet e ndërsjella në të gjitha fushat.

“Edhe në të kaluarën, ne gjithmonë kemi ruajtur dhe zhvilluar partneritet të mirë me Maltën dhe ky vend e ka mbështetur Kosovën në proceset ndërkombëtare. Sot ishte rast i mirë të ritheksojmë përkushtimin tonë, që të avancojmë më tutje me bashkëpunimin tonë, veçmas në këmbimet tregtare dhe në ato kulturore”, tha Haradinaj.

Duke e falënderuar për kontributin e Maltës dhënë për shtetndërtimin e Kosovës në të gjitha fazat e saj, kryeministri Haradinaj, tha se Kosova ka nevojë për zërin e Maltës në proceset e rëndësishme ndërkombëtare.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga ministri Abela mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit dhe në rrugën evropiane të tij.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, të Maltës, Carmelo Abela, tha se Malta do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe qëndrimin e shtetit të tij për fuqizimin e partneritetit ekonomik, tregtar dhe kulturor.