Ramush Haradinaj mban interpelancë në lidhje me gjuajtjen me armë nga zëvendëskryeministri

25.01.2018 10:03:19

Ndër pikat e rëndit të ditës së Kuvendit është interpelanca e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Kjo mbahet me kërkesë të LDK-së në lidhje me gjuajtjen me armë nga zv.kryeministri Dardan Gashi.

Po ashtu, do të shqyrtohet projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, shqyrtimi i strategjisë për energji etj.

Kjo seancë mbahet në ora 14:00

E gjithë ngjarja ndodhi kur zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës për të gostitur ata, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit kanë festuar së bashku.
Por siç shpesh në vendin tonë, atmosfera nuk ndizet pa të shtëna armësh. Dhe këta burra, disa prej të cilëve janë figura të larta në skenën politike, me radhë gjuajnë nga dritarja.
I ulur këmbëkryq në odën e Limajt, Sami Lushtaku nuk e merr mundin as të ngrihet në këmbë. Ai nxjerr armën dhe shtie diku jashtë, pa pasur idenë ku mund të bjerë ai plumb.
Pas tij, ngrihet të festojë me armë ish-këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala, i cili po ashtu ishte i akuzuar në grupin e MTPT-së dhe i liruar nga akuzat.
Dhe për fund, është ministri i diasporës Dardan Gashi, i cili del në dritare dhe zbraz rafalin.
Ajo që dallohet në këtë video, është fakti se asnjëri nuk gjuan me armën e njëjtë, rrjedhimisht, në këtë odë ka disa armë.
Ndër të tjera, dëgjohet një zë në sfond e ngjan të jetë zë i një të mituri që po festonte bashkë me burra në odë.