Ramush Haradinaj: Vota e Kosovës në OKB do të shkonte pro Trumpit

24.12.2017 10:48:05

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se vota e Kosovës në OKB për Jerusalemin do të ishte në një linjë me SHBA-të.

“Ashtu si ka votuar presidenti Trump, ashtu do të votonte edhe ambasadori i Kosovës në OKB”, deklaroi Haradinaj në pyetjen se si do të votonte ambasadori i Kosovës në OKB, për rastin e Jerusalemit, pasi që Shqipëria votoi kundër.

“Nëse më dëgjon ambasadori i Kosovës, në politikë të jashtme ne e përcjellim Amerikën”, tha Haradinaj për RTK.

Këtë muaj, Presidenti amerikan Donald Trump, njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Por, kjo deklaratë u kundërshtua nga shumica e shteteve në OKB, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “nuk e komentoj vendimin e shtetit shqiptar”, derisa evokoi kujtime nga lufta e fundit kur shteti dhe lobi izraelitë kishin ndihmuar çlirimin e Kosovës.