Ramush, ku i ke të falat që ia çoje Vuçiqit?

Nga Flamur Beqiri

Edhe pse votat do të duhej ta përcaktonin këtë lloj qeverie, afrimi me serbët, në këtë format, do të bëhej vetëm atëherë kur partitë politike serbe në program do ta kishin zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe mirëqenjën e të gjithë qytetarëve, pa dallim! Është normale kur një bashkësi etnike, në këtë rast serbe, kërkon mbështetje politike nga shteti Serb, por, kjo mbështetje do të kishte kuptim vetëm atëherë kur shteti Serb, paraprakisht do të pranonte krimet e bëra para dhe gjatë luftës dhe do të kërkonte falje për këto krime! Kur, shteti Serb do të kërkonte falje për 11.840 të vrarë, nga ata 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1.739 femra dhe 1.882 të moshuar. Kur, shteti Serb do të kërkonte falje për mijëra femra të dhunuara. Kur, shteti Serb do të kërkonte falje për masakrat e Likoshanit, Qirezit, Prekazit, Izbicës, Rezallës, Reçakut, Studimes, Krushës së Madhe, Dubravës e Llukarit. Kur, shteti Serb do të sillte para drejtësisë, rreth 400 policë e ushtarë të rregulltë dhe paramilitarë, të identifikuar me emër e mbiemër, pjesëmarrës aktiv në masakrat e sipërpërmendura. Kur, shteti Serb do të ndihmonte në gjetjen e mbi 1.400 të pagjeturëve, kur Kosova nuk do të ishte në preambulën e kushtetutës Serbe, kur shteti Serb nuk do të pengonte që Mitrovica të jetë një, kur ministrat serbë në qeverinë e Kosovës nuk do të kishin nevojë për konsulta në Beograd, kur Serbët e Kosovës do ta pranonin qeverinë e Kosovës si të veten, apo edhe kur ata do të shpreheshin lirshëm në gjuhën serbe në mes të Prishtinës, e do të kishte edhe ndonjë klasë me nxënës serb në ndonjë shkollë të Prishtinës. Edhe, kur shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit do të kishin, së paku, dy ministra shqiptarë në qeverinë Serbe dhe nuk do të trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë! Pra, me një fjalë, kur Serbia do ta pranonte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran!

Ndërsa tash ndodhë e kundërta! Në kohën kur raporet në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë të polarizuara skajshmërisht, në kohën kur nga Serbia, për të gjitha nga ato të cilat u thanë më lart, ende mungon pendimi e kërkim falja dhe në kohën kur në shkollat Serbe, të rinjët indoktrinohen me të pavërteta për Kosovën ndërsa, ende, mësohet për Kosovën djep serb dhe për shqiptarët me “bisht”. Në kohën kur me Serbinë udhëheqë një ultranacionalist nën petkun e paqebërësit dhe demokracisë! Në kohën kur një numër i madh i qytetarëve, serbë të Kosovës, janë të gatshëm ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë ata shantazhohen prej Beogradit. Në kohën kur shteti Serbë e pengon anëtarsimin e Kosovës në institucione dhe mekanizma ndërkombëtarë. Në kohën kur fletëarrestimet për luftëtarët e lirisë i ka ende aktive, kjo tash, nuk e di a vlenë edhe për KM e Kosovës e në kohën kur Serbia në secilin rast gjuan gur e dru për dhe mbi Kosovën, dhe vjen e pamundura, Qeveria e Kosovës formohet me serbët grup themeltar, hiq vendet e rezervuara!

Është e çuditshme se si formohet kjo qeveri, në njërën anë, me shumicë, luftëtarë të UÇK-së, të përfaqësuar nga Ramush Haradinaj, Kryeministër, Kadri Veseli, kryeparlamentar dhe Hashim Thaqi, kyetar Shteti, ndërsa në anën tjetër Lista Serbe, kryekëput përfaqësuese e interesave të shtetit Serb në Kosovë, e bekuar nga Aleksandër Vuqiq, kryetari ultranacionalist Serb!

Ramush Haradinaj, gjatë luftës së Kosovës, ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Komandant i Zonës së Dukagjinit, atëbotë, i qonte “të fala” Aleksandar Vuqiqit nga istikamet e luftës, në cilësinë e luftëtarit të lirisë! Ndërsa, pas lufte, goxha do here i ka qu të fala, herë, nga Haga, një herë nga Ljublana e së fundi edhe nga Colmari i Francës! Jam shumë i sigurtë se të falat e tij në përmbajtje kanë qenë shqip dhe se ato “të fala” na kanë përfaqësuar të gjithë neve, pa dallim!

Aleksandar Vuçiq, jurist me profesion, në vitin 1993 i bashkohet Partisë Radikale Serbe, parti e spektrit të djathtë, e njohur për rolin e saj në luftën e Bosnjës dhe liderit ultranacionalist serb Voislav Sheshel, qëllimi i sëcilës ishte krijimi i Serbisë së madhe. Në zgjedhjet Serbe të vitit 1993, zgjidhet deputet në Parlamnetin Serb, ndërsa në vitin 1995 zgjidhet Sekretar Gjeneral i Parstisë Radikale Serbe,(……), tash kryetar i Serbisë!

I njëjti, i cili “të falat” e tij Kosovës i përcillte përmes, ushtrisë e policisë së rregullt serbe dhe grupeve paramilitare të udhëhequra nga famëkeqi Arkan, tash paskësh evoluar, nga një politikan ultranacionalist serb në një politikan modern demokrat!

Pra, kjo, me gjithë “vullnetin” e shfaqur për një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve, përmes angazhimit të tyre në qeveri, kjo është, në fakt, më shumë është qeveri pazaresh politike të zorit dhe inateve personale, se sa një qeveri reprezentative e shumicës së qytetarëve të Kosovës!