Ramush, për çështjen e kufirit, Arbitrazhi të nxjerr në rrenë ty!

18.09.2017 19:50:59

Nga Rexhep Kastrati

Ajo që pritej, tashmë u tha nga Ramushi: “Mali i Zi mund të negociojë, nëse nuk gjendet zgjidhje mund të përfundojmë në arbitrazh. Kjo temë nuk do të mbetet pa epilog.”. Pra, Ramushi e ka thënë tashmë atë që dihej dhe që është thënë edhe nga të tjerë, se për të dalë nga situata, do të propozojë që çështja e demarkacionit të çohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Strategjia e deklaruar e Ramushit është që versionin aktual ta rrëzojë Kuvendi dhe të rinegociohet me Malin e Zi. E nëse nuk do të ketë ndonjë zgjidhje tjetër, atëherë të çohet në Arbitrazh ndrkombëtar.

Edhe pse kjo është një strategji e njohur nga të gjithë, megjithatë nuk i ndihmon fare Ramushit, sepse tashmë Mali i Zi, nëpërmjet ministrit të Jashtëm ka thënë se kjo çështje është e mbyllur për këtë shtet, por edhe po qe se do të pranonte që të rihapej, atëherë do të shtrohej edhe çështja e parimit me të cilin do të rinegociohej kjo çështje.

Në këtë pikë, bien poshtë të gjitha pallavrat dhe mashtrimet e Ramushit që i ka bërë sa ka qenë në opozitë, dhe gjatë fushatës zgjedhore, pasi që Mali i Zi do të ngulte këmbë që parimi kadastral të ishte parimi në bazë të të cilit do të bëhej demarkimi. Në këtë pikë, Mali i Zi e ka në anën e saj edhe Gjykatën e Arbitrazhit, e cila ka përcaktuar parimin kadastral si parimin në bazë të të cilit do të zgjidheshin kontestet kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë.

Parimi kadastral është parimi në bazë të të cilit është bërë demarkimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe ky parim është kundërshtuar nga opozita e djeshme, pra edhe nga AAK, e cila kishte pranuar se çfarëdo rinegocimi i kufirit në bazë të këtij parimi, do të jepte rezultat të njëjtë si ai që ishte përcaktuar në bazë të marrëveshjes aktuale.

Përveç kësaj, edhe dërgimi i kësaj çështjeje në Arbitrazh, përveçse do të kërkonte pajtushemërinë e të dy palëve, pra edhe të Malit të Zi, do të ballafaqohej përsëri me një vendim nga Arbitrazhi në bazë të parimit kadastral. “Kufijtë kadastralë duhet të përputhen me kufijtë e republikave. Kufiri i çdo shteti duhet të definohet me kufijtë e komunave, të cilat definohen me anë të distrikteve të brendshme kadastrale”, ka thënë gjykatësi Gilbert Guillaume.

Dhe kjo deklaratë e z. Guillaume, është plotësisht e ngjashme me të gjitha qëndrimet e shprehura nga kryeministri Mustafa, i cili vazhdimisht thoshte se kufijtë e shtetit përputhen me kufijtë e komunave.