Ramush Tahiri: Qeveria Kurti humbi legjitimitetin, në fillim të majit qeveria e...

Ramush Tahiri: Qeveria Kurti humbi legjitimitetin, në fillim të majit qeveria e re

18.04.2020 08:50:35

Politologu Ramush Tahiri thotë se Qeveria në detyrë e ka humbur legjitimitetin dhe për këtë qëllim duhet të formohet qeveria e re. “Zgjedhje të reja nuk mund të ketë këtë vit, andaj qeveria e re e udhëhequr nga LDK-ja do të jetësohet javën e parë të muajt maj”, tha ai.

Tahiri, ka paralajmëruar zhvillimet politike që pritet të ndodhin në javët në vazhdim.

“Ne kemi qeveri e cila ka humbur besimin e Kuvendit dhe një qeveri e cila është e shkarkuar me 2/3 e votave. Pra kemi qeveri e cila nuk ka mandat dhe kemi qeveri e cila duhet të ndërrohet me një qeveri t ë re. Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Presidenti është ai i cili e përcakton se a duhet vendi të shkojë vendi në zgjedhje të reja apo duhet të ketë qeveri të re. Kushtetuta i parasheh që të dy mundësitë ndërsa presidenti është institucioni i cili vendos. Presidenti nuk vendos në diskrecionin e tij të lirë por në diskrecionin institucional, Që nënkupton që presidenti është i obliguar t’i konsultoi të gjitha partitë politike dhe varësisht prej dëshirave të tyre, dhe qëndrimeve të tyre të vendosë”, thotë ai, për KosovaPress.

Politologu Tahiri thotë se përderisa të gjitha partitë, përpos Vetëvendosjes janë dakorduar për të formuar qeveri pa zgjedhje, kjo edhe duhet të ndodh dhe se ajo parti që dëshmon që i ka numrat duhet ta formojë qeverinë e ardhshme.

“E vetmja është Lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje. Nuk është në mandatin e VV-së, as të qeverisë, as ta caktojë afatin e zgjedhjeve, e as të caktojë mandatin deri kur do kjo qeveri të rrijë në pushtet. Sepse kjo qeveri faktikisht, formalisht është rrëzuar nga pushteti me 82 deputetë dhe tash mandatari i ri duhet të dorëzojë kabinetin e tij të ministrave për votim në kuvend dhe kuvend duhet me votë të deklarohet. Nëse Kuvendi me 61 vota e voton një qeveri që do të krijohet nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate, nga AKR-ja, minoritetet dhe Lista Serbe, e që gjithsej bëjnë 66 deputetë, atëherë ne kemi qeveri të zgjedhur”, thotë ai.

Tahiri thotë se tash si është gjendja nuk do të mund të ketë zgjedhje të reja, jo vetëm për shkak të koronavirusit dhe pandemisë, por për shkak se shumica e partive politike janë deklaruar se nuk duan zgjedhje.

Ai shprehet i bindur se qeveria e re do të formohet h iç më larg se fillimi i muajt maj.

“Qeveria e re do të jetë më së largu 25 ditë nga dita e sotme. Sepse kalon afati kushtetues. Presidenti ka 10 ditë dhe mandatari i ka 15 ditë për t’u votuar në Kuvend. Do të thotë në fillim të majit nëse jo më shumë ne do të kemi votimin e qeverisë së re dhe të urojmë që kjo qeveri të zgjidhet. Zgjedhjet mbahen për parlament nuk mbahen për qeveri. Qeveria nuk e merr mandatin nga populli, por e merr nga Kuvendi. Ndërsa Kuvendi e merr mandatin nga populli. Dhe përderisa ka mandat kuvendi, mund të ndërrohen gjatë këtij mandati 4 vjeçar disa qeveri”, thotë ai.

Madje Tahiri thotë se zgjedhje të reja nuk duhet të ketë pa reformë zgjedhore, andaj e sheh të rrugës një qeveri të udhëhequr nga LDK-ja së bashku me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet.

“Në këtë vit nuk ka kushte për zgjedhje të reja e gjithashtu Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa e ndërruar sistemin zgjedhor. Themelore është një qytetar një votë, jo një qytetar 5 vota. Sepse po na dalin njerëzit që në emër të partisë ose në emër të vet po kanë shumë vota, ajo qysh ndodhi me krahun e VV-së dhe realisht këto vota nuk po shprehen në terren. Pra pa u bë një reformë zgjedhore dhe nga ajo ditë që të votohet në Kuvend tek pas 6 muajsh me Kushtetutë dhe me ligj mund të mbahen zgjedhjet. Pra nuk e shoh të arsyeshme që qeveria e dorëhequr ta vazhdojë punën edhe një vit, ose 6 muaj sepse nuk ka legjitimitet dhe nuk ka as legalitet. Kjo është qeveri që nuk ka përkrahje më shumë se 30 deputetë në Kuvend. Nuk mund ta qojë asnjë nismë ligjore”, thotë ai.

Kryetari i PDK-së, Isa Mustafa tashmë është autorizuar nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të formuar qeverinë e re. AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate janë shprehur pro një bashkëpunimi me LDK-në. Madje edhe partia e Behgjet Pacolli është shprehur e gatshme t’i bashkëngjitet një koalicioni të tillë.

Ndërsa Vetëvendosje po insiston në zgjedhje të reja, menjëherë pas kalimit të pandemisë COVID-19./kp