Ramush Tahiri: Qeveria teknike, zgjidhja me e mirë për Kosovën

Ramush Tahiri: Qeveria teknike, zgjidhja me e mirë për Kosovën

30.08.2017 10:47:26

Pothuajse po bëhen tre muaj që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ende në vend nuk janë krijuar institucionet e reja.

Madje, përkundër përpjekjeve të shumta nuk po arrihet as të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Përderisa partitë politike janë në “kërkim” të gjetjes së një zgjidhje më të mirë, analistët politik tregojnë se cila metodë e krijimit të Qeverisë do të ishte më e mira për Kosovën.

Politologu, Ramush Tahiri gjatë një prononcim  ka folur për Qeverinë gjithëpërfshirëse dhe atë teknike, duke bërë kështu edhe krahasimet mes tyre.

Sipas tij, në gjendjen që është Kosova, vetëm krijimi i një Qeverie Teknike do të ishte shpëtim dhe do e ishte e vetmja që do e çonte vendin përpara.

Ndërsa, sa i përket Qeverisë gjithëpërfshirëse, ai thotë se ajo nuk ka asnjë kuptim dhe është shumë e dëmshme.

“Qeveria gjithëpërfshirëse nuk ka asnjë kuptim dhe është shumë e dëmshme, pasi del se punon kundër popullit dhe partitë politike merren vesh të punojnë kundër popullit. Qeveria gjithëpërfshirëse ku secila parti e çon nga një ministër bëhet më keq se sa është tani. Ndërsa, Qeveri teknike në kuptimin gjithëpërfshirëse ku e ka përkrahjen e të gjitha partive politike parlamentare do të ishte zgjidhja e duhur. Qeveri teknike është ajo që e shpëton vendin. Në këtë gjendjen, në këto inate politike vetëm Qeveria teknike e shpëton vendin dhe të gjitha vendet që kanë qenë në krizë kanë kaluar nëpër fazë teknike”, ka thënë Tahiri.

Ai shpjegon se si është një qeveri teknike.

Sipas tij, në një Qeveri teknike nuk shkojnë liderët e parë të partive politike dhe se nuk është domethënëse që secila parti të ketë nga një ministër. E rëndësishme sipas Tahirit është që secila parti t’i jep përkrahje kësaj qeverie dhe emrave që zgjidhen.

“Emrat në Qeverinë teknike duhet të jenë emra që nuk janë përfshirë në asnjë aferë, që nuk kanë qenë asnjëherë nën hetime për asgjë. Zakonisht nuk zgjidhen nga Qeveritë e kaluar apo njerëzit që kanë qenë në pushtet, por krijohet nga njerëz komplet të ri sa i përket punës me institucione, nga njerëz që janë ekspert”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai thotë se me politikanët e tanishme nuk beson që mund të krijohet një Qeveri e tillë.

“Mendimi im është se nuk është vullneti të bëhet një Qeveri e tillë sepse t’u i njohtë partitë politike dhe njerëzit që janë sa kohë ne politikë, pak të lënë të besosh që e kanë sinqerisht për reforma, por zakonisht mënyra e qeverisjes së deri tanishme është një lloj klientelizimi, një lloj abuzimi me shtetin dhe është vetëm me kapërcye gjendjen dhe të tregohet se pa këta nuk bëhet politika”, ka thënë më tej Tahiri.

Ndryshe, ai tregon edhe për jetëgjatësinë e Qeverisë teknike.

Sipas tij, kjo Qeveri e ka mandatin e kufizuar dhe zakonisht shkon një vit dhe vetëm në kushte të jashtëzakonshme shkon dy vite