Raporti i KE: Falimentimet e mëdha, rritën kreditë me probleme në Shqipëri

15.10.2016 13:01:33

Komisoni Europian ka publikuar raportin e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për tremujorin e tretë të vitit 2016. Për Shqipërinë, rritja reale e PBB-së arriti në 3.2%  me bazë vjetore në tremujorin e dytë, pas zgjerimit prej 3.1% të regjistruar në tre muajt e mëparshëm.

Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kanë pasur një kontribut pozitiv në rritje. Shpenzimet konsumatore kanë fituar vrull dhe u rritën me 4% me bazë vjetore. Konsumi i qeverisë përmbysi një rënie prej pesë tremujorësh dhe u zgjerua me 1.7%. Investimet kanë vazhduar të ngadalësohen, duke u zgjeruar me 4.4% me bazë vjetore. Eksportet neto kanë kontribuar negativisht në rritjen e PBB-së.

Raporti vlerëson rritjen e ndjeshme në tregun e punësimit, për dy tremujorë radhazi, ku industria pa rritjen më të madhe në punësim (+9.9% me bazë vjetore), e ndjekur nga shërbimet (+9.6%) dhe bujqësia (+3.4%).

Raporti shpreh shqetësimin për rritjen e ndjeshme të deficitit të llogarisë korente, ndonëse kjo shpjegohet pjesërisht me efektin e bazës së ulët. Vlera e eksporteve të tregtueshme vazhdoi të bjerë në mënyrë domethënëse (-22.7% me bazë vjetore), duke reflektuar efektin e zgjatur të çmimeve të naftës. Në kahun tjetër, fitimet nga turizmi dhe prodhimi i shërbimeve vazhduan të rrisnin sektorin e shërbimeve, që regjistroi një rritje me bazë vjetore prej 14.9%. Importi si i mallrave dhe shërbimeve u përshpejtua (duke u rritur përkatësisht me 17.9% dhe 22.3% me bazë vjetore).

Në qershor, deficiti i llogarisë korente arriti në 12.1% të PBB-së, nga 10.6% në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte u nxit nga nga investimet e energjisë dhe u rrit me 22.4%, duke mbuluar më shumë se dy të tretat e deficitit të llogarisë korente në tremujorin e dytë.

Raporti thekson se pavarësisht politikës lehtësuese monetare, kredia vijon e dobët (-0.1% në gusht). Të udhëhequra nga disa falimentime të mëdha, treguesi i kredive me probleme ka qenë në tendencë rritjeje që nga fillimi i vitit, duke arritur në 21.4% në gusht, nga 18.2% në fund të 2015-s.

Në tetë muajt e vitit, të ardhurat nga taksat u rritën me 9.7% me bazë vjetore, në linjë me planin, megjithëse kjo ka të bëjë pjesërisht me të ardhurat që merren vetëm një herë për shkak të zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje për pagimin e taksave, por që ka të ngjarë që të kthehen mbrapsht. Shpenzimet në të njëjtën periudhë ishin 4.8% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë, si rrjedhojë e përfundimit të kthimit të detyrimeve të prapambetura.

Në tërësi, realizimi i buxhetit deri në fund të gushtit kishte një suficit prej 0.9% të PBB-së vjetore.

Pas një rritjeje vjetore prej 5.2%, borxhi publik (përfshirë garancitë) arriti në 70.9% të PBB-së në fund të tremujorit të dytë.