Raporti i Tanja Fajon: Pa ratifikimin e Demarkacionit nuk ka viza

01.09.2016 08:31:17

Në Kuvendin e Kosovës sot do të dalë për votim ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndonëse ende nuk dihet nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet, një gjë është e sigurt. Bashkimi Evropian nuk do të marrë në konsideratë liberalizimin me Kosovën nëse kjo marrëveshje nuk kalon. Kjo gjë është cekur edhe në draft-raportin e fundit që raportuesja për liberalizimin e vizave në Kosovë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka hartuar dhe do t’ia dërgojë më 5 shtator këtij Parlamenti.

Draft-raporti, i cili  përmban 11 amendamente, ka detajizuar edhe një herë kriteret e fundit që Kosova duhet të përmbushë për të fituar liberalizimin. Amendamenti i 8-të i këtij draft-raporti decidivisht përcakton se Kosova megjithëse ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave derisa ky raport të hyjë në fuqi, duhet të ratifikojë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe të intensifikojë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në tekstin e propozuar nga Komisioni Evropian ndër të tjera thuhet kështu:

“Kosova ka përmbushur kërkesat në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave. Në bazë të detyrave dhe llogaritjes së kritereve të listuara në artikullin 1 të Rregullores së Këshillit të Evropës, është e përshtatshme që të heqim njerëzit nga Kosova nga kërkesat për viza kur janë duke udhëtuar në territorin e ndonjë vendi anëtar”.