Raporti i “TI” për korrupsionin, Rama: Falë reformave të thella

26.01.2017 09:51:13

Pas publikimit të raportit të “Transparency International”, në lidhje me indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2016, ku Shqipëria renditet në vend të 83 me 39 pikë, kryeministri Rama ka reaguar duke vlerësuar reformat e viteve të fundit në vend.

“Ka ende shumë për të bërë, por faktet janë fakte dhe ky vlerësim nga një burim i pavarur e prestigjoz ndërkombëtar, flet qartë për rezultatet e para të reformave tona të thella për të bërë shtet”, – shkruan Rama në një status në rrjetet sociale.

Ndërkohë, në foton shoqëruese me statusin e tij, kryeministri thekson se në 3 vite qeverisjeje nga e majta, Shqipëria përmirëson me 33 vende renditjen e saj në Indeksin e perceptimit të korrupsionit nga “TI”, nga vendi i 116 që ishte në 2013-n në të 83-tin sot.

Sipas raportit, krahasuar me një vit më parë, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përmirësim në renditjen e përgjithshme krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.