Raporti i zv/ministrit të Kosovës: Zemra e lopës është fermeri

16.07.2018 16:59:22
Shukri Maxhuni zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka dorëzuar tek kryeministri i vendit Ramush Haradinaj raportin për punën e tij 100 ditore.

Mirëpo në raportin e tij kishte një pjesë të veçantë të cilën ia kishte dedikuar kryeministrit Haradinaj.

Maxhuni kishte bashkangjitur një foto të disa lopëve dhe një thënje ku sipas tij do të ndikonte në zhvillimin e vendit.

“Zemra e zhvillimit të një shteti është bujqësia. Zemra e bujqësisë është blegtoria. Zemra e blegtorisë është lopa. Zemra e lopës është fermeri. Zemra e fermerit është qumështorja. Zemra e qumshëtores është teknologu. Pa funksionuar ky zinxhir, nuk ka zhvillim”, është thënja e zëvendësministrit Maxhuni në raportin e tij 100 ditësh.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi të analistit politik Agron Demi.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural udhëhiqet nga Nenad Rikalo i cili vjen nga radhët e Lista Serbe.

Qeveria e Kosovës aktualisht ka mbi 70 zëvendësministra, dhe është kritikuar në vazhdimësi për numrin e madh të tyre duke mos mundur të jepte një shpjegim të qëndrueshëm për nevojën e tyre. Dyshohet se zëvendësministrat janë pjesë e skemave klienteliste të partive politike në koalicionin qeveritar – dhe se një numër i madh i tyre nuk kryejnë kurrfarë pune.

Image may contain: text