Raporti sekret i DSIK vlerëson pozitivisht figurën e Arta Markut

28.04.2019 19:38:05

Pavarësisht përplasjes së fortë që u shkaktua në Parlament në 18 dhjetorit 2017, Arta Marku pritet të dorëzojë CV e saj për të kandiduar si Prokurore e re e Përgjithshme (ndonëse aktualisht është me detyrën e kryeprokurores së Përkohshme).

Marku, 43 vjeç, me origjinë nga Puka, u zgjodh me 69 votat e deputetëve socialistë para një viti e gjysmë mes flakadanëve dhe tymueseve të opozitës, e cila nuk ishte dakord me emërimin e saj.

Megjithatë,  Marku rezulton në dokumentet e DSIK-së si një figurë e pastër dhe e pranueshme për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Sipas dokumenteve zyrtare të firmosura nga ky institucion, mësohet se për figurën e Markut nuk ngrihen dyshime për kontakte me njerëz të përfshirë në krimin e organizuar.

“Për subjektin e rivlerësimit znj. Arta Ndrec Marku nuk administrohen prova, informacione konfidenciale apo informacione të tjera, nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte për papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Sa më sipër, Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit”, thuhet në shkresën e firmosur nga kreu i DSIK-së, Dorian Tola.

KPK vendosi më 4 korrik të 2018 konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Arta Marku, me funksion Prokurore e Përgjithshme e përkohshme