Raportin e Bulliqit e ka rrëzuar edhe Deklarata Thaçi – Vujanoviq

22.02.2018 12:46:44

Nga Rexhep Kastrati

Raporti i Shpejtim Bulliqit nuk ka si të jetë pjesë e projektligjit që do të mund të votohej sot në Kuvend, pasi që ai nuk paraqet një Marrëveshje ndërmjet shteteve, por vetëm një hetim të Raportit të Murat Mehës.

Marrëveshja e vetme që do të mund të votohet sot është Marrëveshja e vitit 2015, pavarëisht vëretjeve që mund t’i bëhen apo që nuk mund t’i bëhen, pasi që është e vetmja Marrëveshje ndërmjet shteteve që ka fuqi juridike dhe e njohur edhe ndërkombëtarisht.

Në anën tjetër, Raporti i Bulliqit nuk mund të jetë pjesë e projektligjit që mund të votohet në Kuvend, as si bashkëngjitje, edhe për shkak të faktit se tashmë ka një Deklaratë, apo një Aneksmarrëveshje ndërmjet Thaçit dhe Vujanoviqit, me të cilën i jepet legjitimitet dhe mbështetje pikërisht ratifikimit të Marrëveshjes së vitit 2015.

Së këndejmi, ata që duan ta kontrobandojnë Raportin e Bulliqit, në fakt duan të rrëzojnë Deklaratën Thaçi – Vujanoviq, dhe më tej duan që të pengojnë ratifikimin e demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë kuadër, mund të shihen edhe prapaskena dhe lojëra të ndryshme politike kryesisht të stisura nga PDK dhe kadri Veseli që të mbijetojnë mbi kriza politiko-institucionale, për të rrëzuar Qeverinë “Haradinaj – Gjuriq”, ashtu siç e rrëzoi Qeverinë “Mustafa”, dhe për ta imponuar veten faktorin kryesor politik me të cilin mund të bashkëpunojë bashkësia ndërkombëtare.

Parë këtë edhe në kontekst të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, është e qartë se një nga qëllimet e PDK-së për faktorizim ka të bëjë edhe për t’u imponuar si palë pa të cilën nuk bën dhe për ta kursyer nga akuzat që mund të ngrejë Zyra e Prokurorit Special.