Raportuesja për Kosovën në PE Von Cramon: LDK-ja bën grusht shteti nëse prish koalicionin

20.03.2020 12:02:39
EPRS / DG EXPO Experts Workshop ' EU Civil Society instrument for Western Balkans, Turkey and the Eastern Partnership '

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin, Evropian Viola Von Cramon, gjykon se nëse LDK-ja tërhiqet nga koalicioni me LVV-në, nuk bën asgjë më pak se një grusht shteti.

Deputetja gjermane në PE tha se taksa duhet të hiqet por kjo nënkupton reciprocitet nga Beogradi në ndaljen e fushatës së tyre kundër pavarësisë së Kosovës.

Koalicioni VV-LDK që udhëheq me qeverinë është në pikën më të ulët të bashkëpunimit që nga marrëveshja për bashkëqeverisje.

LDK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti pasi ky i fundit shkarkoi nga posti i ministrit Agim Veliun.

Por mocionin e mosbesimit nga LDK-ja ndaj Qeverisë Kurti në të cilën bën pjesë edhe vetë, raportuesja për Kosovën në Parlament Evropian po e sheh si pretekst të LDK-së për lojë politike mes Isa Mustafës dhe Presidentit Thaçi.

“Unë besoj se LDK-ja nuk duhet ta përdorë këtë krizë si pretekst për kumar politik. Ne të gjithë e dimë se kjo është pjesë e një loje më të madhe politike. Thaçi dhe Mustafa dëshirojnë të jenë pjesë e dialogut dhe ata duan të sigurohen se do të ulen në tryezë me Beogradin e jo Kurti i vetëm. Megjithatë, një udhëheqësi e përgjegjshme dhe demokratike duhet të qëndrojë e bashkuar në kohën e një krize të tillë të pashembull”, tha deputetja gjermane.

E pyetur nëse LDK-ja duhet ta çojë përpara nismën për rrëzimin e Qeverisë, gjermanja Von-Cramon ka thënë se nëse LDK-ja vendosë ta braktisë Qeverinë tani kjo do të nënkuptonte grusht shteti.

“Natyrisht, debati për atë se si duhet të merremi me situatën është legjitim, por zgjidhja përfundimisht nuk është të largohesh dhe ta braktisësh Qeverinë. Kuvendi dhe Qeveria do të duhet të veprojnë shpejt, nëse kriza shëndetësore përkeqësohet, për këtë arsye ne nuk duhet ta vënë në rrezik funksionimin e tyre. Nëse LDK-ja tërhiqet tani nga koalicioni, ky është më tepër si një grusht shteti, jo si një veprim i përgjegjshëm”, ka thënë ajo.