Rashiq: Jam i pafajshëm, por kjo duhet të dëshmohet

23.04.2020 14:35:27

Nenad Rashiq i cili u emërua këshilltar politik nga kryeministri Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje sot nga kjo pozitë dhe ajo e drejtorit të Zyrës për Komunitete, pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij.

Kështu është bërë e ditru gjatë konferencës së përbashkët për media që patën Kurti dhe Rashiq.

Rashiq gjatë konferencës tha se është i pafajshëm në çështjen për çka akuzohet, por që kjo duhet të dëshmohet.

“Ajo çka ka ndodhur në dy javët e fundit më ka shokuar dhe jam i dëshpëruar, sepse dhe më tutje ekzistojnë mekanizmat apo iniciativat që dëshirojnë ta shkatërrojnë këtë sistem. Do të vazhdoj të angazhohem në mënyrë të drejtë e të ndershme, të analizoj gjendjen e ngjarjeve që janë zhvilluar, dhe e di që unë si pjesëmarrës absolutisht jam i pafajshëm, por këtë rast kjo duhet të dëshmohet”, tha Rashiq.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 19 personave për këtë rast, të njohur si falja e hidrocentraleve. Aty përfshihen edhe katër ish-ministrat, të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Gjykimi eventual i këtij rasti do të bëhej sipas Kodit Penal që është shfuqizuar para disa muajsh. Kjo vepër, sipas Kodit Penal të vjetër, është e dënueshme deri në pesë vjet heqje lirie.