Rastet ‘Azem Syla’ e ‘Apex’ në duart e gjyqtarëve vendorë

07.08.2016 16:24:30

Rasti “APEX”, ku të akuzuar për krim të organizuar dhe detyrim janë 11 persona, si dhe rasti “Pronat”, ku 23 veta janë të akuzuar për krim të organizuar, nxjerrje dhe ndihmë në nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shpërlarje parash, tani do të hetohen e gjykohen nga prokurorët e gjykatësit vendorë.Se këto dy lëndë janë transferuar te gjyqtarët vendorë e konfirmoi edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se këto lëndë janë dorëzuar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe do të procedohen sipas ligjit”, tha Gashi.

Rasti “APEX” është një rast mjaft kompleks i cili deri më tani ka përfshirë të gjitha shkallët e gjykatave në Kosovë.

Avokatët që nga fillimi kanë kundërshtuar aktakuzën duke e cilësuar si të pasafatshme, ndërsa kundërshtimet e tyre ishin pranuar nga Gjykata Themelore, për t’u ndryshuar më pas nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.

Edhe rasti “Pronat”, ku të akuzuar janë 23 persona është një rast mjaft sfidues për gjykatësit vendorë, qoftë për shkak të numrit të madh të të akuzuarve ashtu edhe natyrës së rëndë të veprave për të cilat ata akuzohen.

Në mesin e të akuzuarve në këtë rast ka edhe zyrtarë të organeve të drejtësisë, ndërsa i akuzuari kryesor është deputeti i dorëhequr i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.